Punëtorët e një kompleksi rafinerie, më i madhi i gazit natyror të Iranit, protestuan të hënën lidhur me vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini, sipas pamjeve të publikuara në internet. Kjo shënon herën e parë që trazirat mbi vdekjen e Mahsa Aminit kërcënojnë arkën e qeverisë teokratike të Iranit, ndaj së cilës rëndojnë prej kohësh sanksione të vendosura mbi industrinë e saj të naftës dhe gazit.
Videot që qarkullojnë internet, të analizuara nga ‘Associated Press’ tregojnë me dhjetëra punëtorë të mbledhur në komplesin e rafinerive që ndodhet në qytetin Asaluyeh, në Gjirin Persik, rreth 925 kilometra në jug të Teheranit. Kompleksi i madh, furnizohet me gaz natyror nga burimi masiv i gazit në det të hapur, që Irani ndan me Katarin.
Në një video, punëtorët, disa prej të cilëve me fytyra të mbuluara, shfaqen duke hedhur thirrje si vdekje diktatorit. Irani nuk pranoi se kishte patur ndonjë ndërprerje të punës në objekt, megjithëse agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ‘Tasnim’ e cilësoi incidentin si një mosmarrëveshje për pagat. Irani është një nga furnizuesit kryesorë në botë të gazit natyror, menjëherë pas SHBA-ve dhe Rusisë.
Mbetet e paqartë nëse punonjës të tjerë do të ndjekin të njëjtin shembull, sikurse ata të rafinerisë së gazit natyror. Protestat anembanë Iranit për vdekjen më 16 shtator në paraburgim të 22 vjeçares Amini, kanë hyrë në javën e katërt të tyre. Ajo ishte arrestuar për një shkelje të dyshuar të kodeve të rrepta islame të veshjes për gratë. Që atëherë, protestat u përhapën në të gjithë vendin dhe janë goditur me ashpërsi nga autoritetet.
Qeveria e Iranit këmbëngul se Mahsa Amini nuk ishte keqtrajtuar në paraburgim, por familja thotë se ka parë në trupin e saj shenja që dëshmonin se ajo ishte rrahur. Pamjet filmike nga demonstratat tregojnë forcat e sigurisë duke rrahur dhe shtyrë protestuese gra e vajza, shumë prej tyre kanë marshuar nëpër rrugë pa shami. Demonstratat përfaqësojnë një nga sfidat më të mëdha për teokracinë e Iranit që nga ato që njihen si protestat e Lëvizjes së Gjelbër, të vitit 2009./VOA