Këtë të mërkurë janë nderuar me titullin e lartë Nobel në fushën e kimisë tre shkencëtarënë , të cilët zbuluan një mënyre për të “bashkuar molekulat” që mund të përdoret për të prodhuar ilaçe më të mira.
Amerikanët Carolyn R. Bertozzi dhe K. Barry Sharpless, dhe shkencëtari danez Morten Meldal u nderuan për punën e tyre në kiminë e bashkimit të molekulave me njëra-tjetrën dhe kiminë bio-ortogonale, që u referohet reaksioneve kimike brenda sistemeve të gjallesave.
Këto procese përdoren për të prodhuar ilaçe kundër kancerit, për të hartuar ADN-në dhe për të krijuar materiale, që janë të përshtatura posaçërisht për të arritur një objektiv të caktuar.
“Bëhet fjalë për procesin e bashkimit të molekulave,” tha Johan Aqvist, një anëtar i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, që shpalli fituesit të mërkurën në Institutin Karolinska në Stokholm të Suedisë.
81 vjeçari Sharpless, ka fituar çmimin Nobel edhe në vitin 2001, duke u bërë personi i pestë që e merr çmimin dy herë.
68 vjeçari Meldal i Universitetit të Kopenhagës në Danimarkë dhe zoti Sharpless, studiues në institucionin kërkimor Scripps në Kaliforni, zbuluan secili në mënyrë të pavarur molekulat e para të tilla që do të bashkoheshin lehtësisht me njëra-tjetrin, por jo me molekula të tjera, duke sjellë si rezultat përdorimin e këtij procesi në prodhimin e ilaçeve dhe polimereve, materiale që përbëhen nga molekula të mëdha, të quajtura makromolekula.
55 vjeçarja Bertozzi, në Universitetin Stanford të Kalifornisë, e ngriti këtë lloj procesi në “një nivel të ri,” tha Komiteti Nobel.
Ajo gjeti një mënyrë për ta bërë kiminë e mbërthimit të molekulave me njëra-tjetrën të funksionojë brenda organizmave të gjallë, pa i dëmtuar ato, duke krijuar një metodë të re të njohur si reaksione bio-ortogonale. Reaksione të tilla përdoren tani për të eksploruar qelizat, për të gjurmuar proceset biologjike dhe për të krijuar mjekime më preçize për sëmundje të tilla si kanceri.
“Përdorimi i proceseve kimike brenda pacientëve për t’u siguruar që ilaçet të shkojnë në vendin e duhur dhe të qëndrojnë larg pjesës së gabuar të trupit,” tha shkencëtarja Bertozzi.
Duke folur me telefon në një konferencë shtypi pas njoftimit, ajo tha se ishte “absolutisht e befasuar” nga marrja e çmimit.
“Ende nuk më besohet, por po bëhet më e vërtetë minutë pas minute,” tha ajo.
Zoti Meldal tha se mori një telefonatë nga komiteti i Nobelit rreth gjysmë ore para shpalljes së çmimit.
“Më thanë të mos i tregoja askujt. Kështu që u ula brenda zyrës sime dhe prita plot emocion,” i tha ai agjencisë Associated Press. “Është një nder i madh.”/VOA