Mesditën e sotme ish-deputeti Tom Doshi është parë teksa ka hyrë në ambientet e kryeministrisë. Teksa të gjithë hamendësuan mbi një bisedë midis atij dhe kryeministrit Edi Rama, ky i fundit surprizon me përgjigjen e tij.
Rama deklaron se nuk mban përgjegjësi për hyrjet dhe daljet nga kryeministria dhe se nuk kishte asnjë dijeni mbi praninë e kreut të PSD-së, Tom Doshi në godinën e kryeministrisë.
“Nuk kam asnjë dijeni për këtë dhe se kush hyn dhe del në këtë godinë nuk është fare detyra ime. Se kush hyn e del mbase është detyra juaj t’i përgjoni dhe jo detyra ime”– u shpreh Rama.
Kujtojmë që më heret Rama ka deklaruar se që prej shpalljes së Doshit “non grata” na Departamenti i Shtetit ai i kishte shkëputur marrëdhëniet me të.
Vlen të theksohet se ish-deputeti shqiptar Tom Doshi u bë zyrtari i dytë i lartë shqiptar pas ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla që u shpall i padëshirueshëm në Shtetet e Bashkuara bashkë me familjen e tij.
Sipas deklaratës, “Departamenti e shpalli publikisht” z. Doshi si të padëshirueshëm dhe të palejuar për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara.
“Ligji lejon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e familjes së tyre nuk lejohet të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”,” thotë deklarata.