Këtë të hënë kryetari i PD, Sali Berisha ka folur në lidhje me mbylljen e 2 institucioneve arsimore në vend duke akuzuar drejtpërdrejt Ramën për sulmin. Përmes një deklarate për shtyp, ai deklaroi se vendimi është urdhëruar nga Presidenti i Turqisë, Erdogan, teksa shtoi se kryeministri gënjen kur deklaron që mbyllja ka ardhur për shkak se godina është blerë nga biznesmeni Sinan Idrizi.
Deklarata e Berishës
Sot dua të dënoj edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik, të ulët të Edi Ramës ndaj arsimit privat në Shqipëri. Ky vasal i shpifur i Erdogan, i Presidentit të Turqisë që e konsideron Shqipërinë si një vend ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash e xhamishë ka urdhëruar mbylljen e një kolegji me parametrat më të mirë hde një histori 26 vjeçare në Shqipëri, kolegjit Mehmet Akif.
Në traditën e tij morale, gënjeshtra, Rama u tha shqiptarëve se shkaku i mbylljes ishte se miku i tij, me avionin e të cilit e ka si taksi, ka blerë godinën. Gënjestar i lindur, i shpifur. Të na thotë pak kopshtit me 255 nxënës, të gjithë të afërt me moshën e djalit të tij, çfarë kishe me kopështin që mbylle? A mundet një kryeministër të bëjë betejë me 255 parashkollorë? A e di ky njeri se ata vogëlushë ditën pas çerdhes familjare e kalonin në këtë çerdhe me njeri-tjetrin, mësonin, këndonin, recitonin, mësonin gjuhë, mbështesnin njeri tjetrin, festonin ditëlindje së bashku, gëzonin me njeri-tjetrin, prisnin të nesërmen për të shkuar me kënaqësi në kopësht.
Ky është gënjeshtar i lindur që për të zbatuar urdhrat e verbra të Presidentit të Turqisë, shkel çdo kod etik dhe moral në vendin e tij. U bëj thirrje gjimnazistëve të Tiranës të bashkohen me nxënësit e kolegjit Mehmet Akif. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të mbështesin protestën e tyre sepse kjo përbën një shkelje flagrante të lirisë së shkollimit në këtë vend. Ky është një vendim i marrë jashtë Shqipërisë, një vendim i turpshëm, një vendim që ka në bazë lidhje jashtëzakonisht të sëmura dhe të dyshimta.
E dënoj me forcën më të madhe këtë vendim anti-demokratik dhe anti- shqiptar të një njeriu, që e kam të lehtë të them që është i kapur nga Sinan Idrizi. Solidariteti im i plotë me studentët, por edhe vogëlushët e kopshtit, viktima të një gënjestari që s’ka moral.