Një lajm i mirë për shqiptarët!
Shqipëria dhe Kroacia përfunduan raundin e parë të negociatave për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se rreth 3 mijë shqiptarë që punojnë në këtë vend do të përfitojnë nga njohja e viteve të punës.
Gjithashtu Rama shton se pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen të gjitha procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Vlen të përmendim se Shqipëria dhe Italia kanë arritur me datë 27 korrik dakordësimin e marrëveshjes teknike për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe të shtetasve italianë që jetojnë në Shqipëri.
Delegacionet e dy qeverive zhvilluan bisedimet përgjatë dy ditëve në Tiranë mbi projekt Marrëveshjen Kuadër për Sigurime Shoqërore dhe ranë dakord që t’ia paraqesin për miratim qeverive respektive.
Arritja e marrëveshjes teknike mes Shqipërisë dhe Italisë u komunikua në një konferencë të posaçme për shtyp nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.
Ministrja Ibrahimaj e konsideroi arritjen e marrëveshjes si një ditë fitoreje për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali, pasi përmes saj do të mundësohet njohja e kontributeve të tyre për efekt të pensioneve të pleqërisë, përfitimet për sëmundjet dhe barrë lindjet, si dhe sigurimet për papunësinë.