Ditë pas dite po shpaloset përfshirja e shqiptarëve në kartelet më famoze të botës të implikuar në trafikim droge dhe pastrim parash të ardhura nga aktivitete kriminale. Zhvillimi i zjarrtë i vendit me resorte me 5 yje dhe me kulla që kapin qiejt, që vetëm energji në muaj harxhojnë sa të blesh një makinë, duhet të justifikohen disi. I gjithë ky betonizim, pallate kudo që shiten me çmime marramendase apo makina luksoze që kushtojnë mijëra euro e ka një burim që ka gjasë në shumicën e rasteve të jetë jo i ndershëm.
Rasti i fundit është implikimi i mafjes shqiptare në kartelet më të larta në Amerikën Latine. 4 vëllezër shqiptarë kanë dalë të lidhur me Kartelin damkeq të drogës “Sinaloa”, sipas artikujve të mediave të huaja. Karteli i drogës ‘Sinaloa’ po pastron para droge në toka pjellore, vijën bregdetare dhe përmes kazinove në Shqipëri. Të tillë kanë qenë titujt e disa mediave meksikane të enjten, ndërsa flasin për forcimin e bandave kriminale shqiptare dhe ndikimin në ekonominë e Shqipërisë. Sipas mediave në fjalë, El Mayo është lideri i fraksionit, ndërsa bashkëvepron me 4 vëllezërit Hysa që janë në shenjestër të autoriteteve meksikane.
Mediat shkruajnë se 4 vëllezërit shqiptarë ndihmojnë “bosin” e kartelit meksikan që të pastrojë paratë që vijnë nga aktiviteti kriminal përmes rrjeteve të kazinove resorteve luksoze apo pronave të paluajtshme si në Shqipëri dhe Meksikë. El Universal shkruan se autoritetet zbuluan se Ismael Zambada García, alias El Mayo, lider i një fraksioni të kartelit Sinaloa, ishte aleat me mafien shqiptare. Burimet e inteligjencës përmendin se ky grup shqiptar ka lidhje edhe me Kartelin e Gjeneratës së Re Jalisco.
“El Mayo kishte krijuar lidhje me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, një grup kriminal shqiptar që është vënë në shënjestër nga autoritetet financiare për aktivitetin e fuqishëm ekonomik në sektorët e turizmit dhe kazinove në të dy vendet, Meksikë dhe Shqipëri. Katër shqiptarët zotërojnë një rrjet kazinosh dhe biznesesh në Sonora, Baja California dhe Quintana Roo, në të cilat pastrojnë miliona dollarë nga krimi i organizuar. Përveç kësaj, ata investojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri për t’i pastruar ato, në investime të fokusuara në aktivitetet e lojërave të fatit dhe në fushën e turizmit. Në këtë kohë, shqiptarët po kryejnë një operacion në emër të kartelit Sinaloa për të transferuar miliona dollarë në vendin e tyre përmes kompanive të ndryshme”, shkruhet ndër të tjera në artikull.
Lidhjet e shqiptarëve me këtë kartel tregojnë se sa të shtira janë tentakulat e mafjes shqiptare si dhe sa pushtet dhe para ka krimi në vendin tonë. Shqipëria sipas mediave meksikane konsiderohet një vend i varfër ku nuk funksionojnë ligjet dhe shihet si parajsë nga këto grupe për të pastruar paratë. Sipas edhe skedës së publikuar në mediat meksikane shihet se krahas 4 vëllezërve janë edhe disa persona dhe biznese që përdoreshin nga rrjeti i shqiptarëve. “Marina Bay” dhe “Valona Konstruksiom” janë 2 biznese të fuqishme që operojnë në vend dhe të lidhur me këto biznese del vetë kryetari i kartelit “Sinaloa”.
Bashkë me të janë 4 vëllezërit Hysa, por është edhe Besnik Lulaj ( ose Vulaj, pasi nuk dallohet qartë). Siaps ekstrakteve të kompanisë në QKB rezulton që Besnik Lulaj është ortak në kompaninë “Valona Konstruksion”.
Marrë nga QKB
Shkrimi i plotë
Tentakulat e karteleve meksikane kanë mbërritur tashmë në vendet ballkanike të Evropës Lindore, ku kanë gjetur tokë pjellore për të pastruar paratë e aktiviteteve të tyre të paligjshme, sepse ekonomitë e tyre dhe ligji është i dobët.
Autoritetet e inteligjencës së qeverisë federale zbuluan se Ismael Zambada García, alias El Mayo, lider i një fraksioni të kartelit Sinaloa, është aleat me mafian shqiptare për të pastruar miliona dollarë në biznese, pasuri të paluajtshme dhe investime në sektorin e turizmit bregdetar. Në veçanti, ata identifikuan se “El Mayo” kishte krijuar lidhje me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, një grup kriminal shqiptar që është vënë në shënjestër nga autoritetet financiare për aktivitetin e parregullt ekonomik të regjistruar në sektorët e turizmit dhe kazinove në Meksikë si në Shqipëri.
Sipas burimeve të inteligjencës të konsultuara nga EL UNIVERSAL, të katër shqiptarët zotërojnë një rrjet kazinosh dhe biznesesh në Sonora, Baja California dhe Quintana Roo, në të cilat pastrojnë miliona dollarë nga krimi i organizuar, së bashku me avokatë dhe drejtues. Përveç kësaj, ata investojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri për t’i pastruar ato, në investime të fokusuara në aktivitetet e lojërave të fatit dhe në fushën e turizmit. Në këtë kohë, sipas autoriteteve federale, shqiptarët po kryejnë një operacion në emër të kartelit Sinaloa për të transferuar miliona dollarë në vendin e tyre përmes kompanive.
Lidhjet mes karteleve meksikane dhe grupeve shqiptare të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave nuk diheshin deri më tani, sipas autoriteteve të inteligjencës të konsultuara. Lidhja mes El Mayo Zambada dhe mafies shqiptare përfaqëson një mundësi për grupet kriminale meksikane që të zgjerohen në Shqipëri, një vend i vogël ish-komunist që po joshet nga paratë nga aktivitetet e paligjshme. Autoritetet e inteligjencës kujtojnë se kartelet meksikane po zgjerohen vazhdimisht përtej kufijve të vendit, teksa arrijnë në Evropë dhe Azi.
Në vendet e Bashkimit Evropian, si Holanda, Britania e Madhe dhe Malta, përveç kokainës, tashmë kanë filluar të kontrollojnë, trafikojnë dhe përpunojnë droga sintetike, përfshirë fentanilin dhe metamfetaminën, të konsideruara si më të kërkuarat në tregun ndërkombëtar. Hetimet e kryera në vitin 2018 nga policia holandeze tregojnë se portet e atij vendi europian vazhdojnë të jenë hyrja kryesore e organizatave kriminale meksikane në Bashkimin Europian, ku tashmë kanë krijuar laboratorët e tyre për prodhimin e drogave sintetike.
Në një hetim të përbashkët të përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar, policia holandeze, spanjolle dhe portugeze arrestoi një grup të ‘Los Beltrán Leyva’ në Barcelonë dhe Tarragona që përpunonte metamfetaminën në Spanjë dhe Holandë. Gjithashtu, ky grup kishte si objektiv pastrimin e parave të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, ndaj instaloi një rrjet pastrimi parash që fillonte në Spanjë, kalonte në Holandë, Portugali, Hong Kong, Turqi dhe përfundonte në Meksikë.
Sipas hetimeve ndërkombëtare, organizata ‘Beltrán Leyva’ qarkulloi miliona euro në sistemin financiar ndërkombëtar për aktivitete të pastrimit të parave. Burime të inteligjencës sigurojnë se paratë janë pastruar përmes kazinove, të cilat janë zhvilluar dhe investuar në vendet evropiane ku ka një zbatim të dobët të shtetit ligjor. Në momentin e kapjes, anëtarëve të qelisë iu sekuestruan sasi të mëdha parash dhe produkte kimike të përdorura për prodhimin e drogave sintetike.
Kartelet meksikane synojnë të investojnë të ardhurat e aktiviteteve kriminale në vende ku zbatimi i ligjit mbetet i dobët, kryesisht në vendet e Evropës Lindore, mes tyre Shqipëria. Burimet e inteligjencës përmendin se ky grup shqiptar ka lidhje edhe me Kartelin e Gjeneratës së Re Jalisco (CJNG), me në krye kapo Michoacan Nemesio Oseguera Cervantes, El Mencho, por po kërkohen më shumë prova në lidhje me këtë.
Deri para aleancës me Ismael Zambada García, El Mayo, krimi i organizuar shqiptar kishte lidhje vetëm me trafikantët kolumbianë dhe ekuadorianë të drogës në Amerikën Latine. Duke krijuar këtë marrëdhënie të re, kartelet meksikane tani do të synojnë të zgjerohen, veçanërisht kur bëhet fjalë për fitimet e kazinove dhe pastrimin e parave, të cilat në shumicën e rasteve mbeten të pakontrolluara ose nuk mund të kontrollohen plotësisht nga qeveritë e vendeve në fjalë.