Analisti i njohur Fatos Lubonja ka komentuar aksionin e ndërmarrë nga qeveria për katet pa leje të pallateve. Lubonja vë në dukje se është e pamundur që të kryhen ndërtime pa leje në mes të Tiranës, pa u pikasur nga autoritetet. Sipas analistit ato nuk duan t’i shohin sepse ato kanë qenë aty dhe kanë vazhduar punën normalisht. Është thjesht mungesa e dëshirës, e vullneti, apo diçka tjetër nën dorë, që ka lejuar zgjatjen e këtyre kullave qiellgërvishtëse pa leje. Pronarët e këtyre ndërtesave të lidhura ngushtë me qeverinë nuk e kanë të nevojshme lejen për sa kohë i kan “krahët e ngrohta” dhe kanë sigurinë që nuk i luan njeri. Paradoksi këtu është që këta persona marrin leje për të ndërtuar pa leje.
Lubonja sjell faktin se ligjet në Shqipëri nuk funksionojnë për të gjithë, por dhe pohon se autoritetet janë të aftë të kapin shkeljet kur duan t’i kapin. Ai sjell rastin e tij personal ku i ishte dashur të ndërtojë një çati për shtëpinë e tij në fshat për të cilën i ishte deshur të merte leje, pasi ishte e pamundur ta ndërtoje. Lubonja del në konkluzionin se është e pamundur që të ndërtohen kate pa leje në mes të Tiranës, dhe qeveria apo autoritetet të mos vihen në dijeni, kur ato vihen në dijeni në zona rurale të Shqipërisë.
“Doja të ndërroja çatinë e shtëpisë time në fshat, dhe i thash dikujt, ore do vish ta rregullosh, më tha ‘më parë shko merr një leje se ndryshe na vjen policia’. Shkova unë mora leje, normal se shteti duhet t’i kontrollojë. Ai kishte frikë të vinte një çati në fshat, ndërsa në mes të Tiranës…”
Por çfarë i pengon? “Kryesorja për qeverinë është paraja për pushtet dhe pushteti për para”, deklaron Lubonja. Pra politika ka krijuar një simbiozë me biznesin e ndërtimeve dhe merr përfitime të mëdha prej tyre, të cilat përdoren më pas për zgjedhje.
Analisti gjatë fjalës së tij në emisionin “Open” u ndal edhe në rastin e ndërtimit të disa kateve pa leje nga kompania “Kastrati”, duke thënë se nuk beson se kryeministri Edi Rama nuk është vënë në dijeni prej kompanisë në fjalë. Është e pamundur që ndërtimet e kësaj kompanie të “preken” nga autoritetet që Rama iu lë fajin inspektorët apo policët, të cilët as nuk marrin dot guximin t’iu afrohen.
“Po marrim këtë Kastratin, kur i bëri katër kate mendoni se nuk i çoi një llaf Ramës?! Nuk e besoj… se policia vjen te çatia ime, jo më te katër katet?!”, tha Lubonja.
“Ndoshta mbi të gjitha duhet thënë pse ne na duhet të kufizojmë dhe të mos lejojë ndërtime pa leje? Sepse shteti ka disa norma, ndërtim, gjelbërim, etj etj, pra për të ndërtuar një komunitet sa më të rehatshëm, shton ai.
Lubonja vë theksin se motivi i vetëm i projekteve të Ramës është paraja. Duke marrë shembullin e teatrit ai u shpreh se ndonëse teatri u prish, në projektin e ri nuk është në fokus teatri, por paraja, pasi po ndërtohen kulla jo teatër. “Bukuria e teatrit nuk vihet në plan të parë, por paraja”, thotë analisti. Paraja është kryesore, para që duhet për pushtet, dhe pushteti që duhet për para.