Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka nënshkruar sot memorandumin e bashkëpunimit me kompaninë ajrore low-cost FLYNAS.
FLYNAS është kompania e dytë më e madhe në Arabinë Saudite që është vlerësuar për dy vite radhazi si kompania që ofron çmimin më kompetitiv në fushën e low-cost.
Kjo kompani do të nis operimin në Shqipëri duke ofruar fluturime low-cost Tiranë-Riad.
Ministrja Belinda Balluku theksoi se qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Riad me opsionin për t’u shtrirë dhe në destinacione të tjera. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se bashkëpunimi me kompaninë ajrore FLYNAS është pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare për të afruar sa më shumë operatorë të fushës çka do të ndikonte në përmirësimin e shërbimit si dhe në uljen e kostove të biletave për udhëtarët.
“Konkretisht synohet vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Riad, por dhe jo vetëm, ne mendojmë që ky bashkëpunim mund të shtrihet edhe në destinacione të tjera. Qëllimi i këtij memorandumi është identifikimi i fushave dhe koncepteve të gjera në lidhje me të cilat Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe FLYNAS mund të krijojnë një marrëdhënie ndërmjet tyre,” – theksoi Balluku.
Nga ana e tij, presidenti i kompanisë FLYNAS, Bander Al-Mohanna, e cilësoi marrëveshjen si strategjike veçanërisht sa i takon mbështetjes dhe fuqizimit të turizmit.
“Jemi këtu me bindjen e plotë që Shqipëria i ka të gjithë përbërësit e duhur që të bëhet një vend atraktiv turizmi për Arabinë Saudite, por edhe për vendet e tjera të rajonit. Në muajt vijues do të punojmë ngushtë me ministrinë përkatëse por edhe ato të linjës, si edhe me ambasadën shqiptare ne Riad për të nisur një fushatë promovimi për Shqipërinë që të bëhet një destinacion turizmi jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet e Gjirit Persik,” – u shpreh Presidenti Al-Mohanna.
Flynas është një kompani low-cost me qendër në Arabinë Saudite, e themeluar në vitin 2007. Aktualisht kjo kompani ka në flotën e saj 31 avionë dhe së shpejti do të nënshkruajë marrëveshjen e dytë më të madhe në rajon me Airbus për të marrë edhe 120 avionë të tjerë.