Ditën e sotme qeveria ka hedhur për konsultim publik një nga ligjet kryesore të reformës në drejtësi, konkretisht ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndryshimet ligjore kanë të bëjnë me gjyqtarët dhe prokurorët të cilët nuk kanë kaluar vetingun, dhe parashikohet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai Gjyqësor të pezullojë menjëherë këto gjyqtarë dhe prokurorë.
“Projektligji ka për qëllim ndalimin e abuzimit të magjistratit me sistemin e drejtësisë, kur vendimmarrjet e tyre kanë rezultuar haptazi në kundërshtim me ligjin”, thuhet në relacionin shpjegues. Ligji i miratuar në 2016, parashikonte që këshillat kishin 3 ditë afat për t’u mbledhur nga momenti kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë paraqiste një kërkesë para tyre për pezullimin e magjistratëve.
Referuar ndryshimeve të propozuara, këshillat do të duhet të organizohen dhe mblidhen menjëherë për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e magjistratit, duke konkluduar me vendimmarrje konkrete për pranimin ose jo të kërkesës së pezullimit të paraqitur nga kryeinspektori i drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë shpjegon se iniciativa ligjore vjen në kuadër të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë, ku qytetarët dhanë mendime për çështje të ndryshme.
“Një ndër pyetjet drejtuar qytetarëve konsistonte në çështjen nëse duhen pezulluar nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende procesin e vettingut, nëse vendimmarrjet e tyre rezultojnë haptazi në kundërshtim me ligjin.
Si bazë arsyetuese për përcaktimin e kësaj pyetjeje, është parashikuar se pavarësisht se vitet e fundit janë ndryshime legjislative për të luftuar fenomenin e njohur si KÇK, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pritje të vettingut vazhdojnë të abuzojnë me pushtetin e drejtësisë”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit.