Mbrëmjen e djeshme një koncert gjigand muzikor u zhvillua në sheshin “Skënderbej” ku performuan disa nga artistët më të mirë shqiptarë dhe europian. Ndonëse problemet nuk mnguan në një organizim aq gjigand, pasi pati një ndërprerje të energjisë për disa minuta gjatë performancës, qindra qytetarë kërcyen nën ritmet e muzikës së mirë. Por koncerti “Alpha Show” nuk e shmangu dot përfshirjen e politikës, pasi ditën e sotme kreu i Partisë së lirisë, Ilir Meta ka shpërndarë në rrjetin social Facebook një video nga koncerti i reperit Rigels Rajku (Noizy) që u zhvillua mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku dëgjohet thirrja, “Rama Ik”.
“Ju uroj një javë të mbarë, me këtë thirrje frymëzuese dhe buçitëse të mijëra të rinjve, për largimin dhe ikjen pa kthim të armikut të së ardhmes së tyre, të grabitësit të miliarda euro të shqiptarëve dhe të tradhtarit të interesave tona kombëtare”, shprehet kreu i PL.
Në vijim, Meta nënvizon se “armiku i Lirisë, Ligjshmërisë dhe Rinisë, do të japë llogari shumë shpejt përpara Drejtësisë dhe popullit për të gjitha dëmet kolosale, që i ka bërë vendit”.
Ndërkohë kujtojmë se shpeshherë politika përdor artin dhe artistat për të shpërndarë propagandën tek qytetarët, pasi këta të fundit kanë një ndikim të madh mbi popullatën dhe imazhi i tyre përdoret për qëllimet e politikës.