Ditën e sotme është përcjellë për në banesën e fundit 14-vjeçari E.Sakaj, nga fshati Suk i Roskovecit, i cili humbi jetën pasi u mbyt në lumin Seman. I mituri kishte dalë për të gjuajtur peshk , për të siguruar një vakt për familjen, pasi jetonte në kushte të vështira ekonomike.
Sot ai është përcjellë për në banesën e fundit nga dhjetëra banorë të këtij fshati, të cilët i kanë dhënë lamtumirën të miturit. Trupi i pajetë i të miturit u gjet ditën e djeshme pas më shumë se 24 orë kërkime. Ai kishte shkuar për të peshkuar në lumin Seman më 10 gusht dhe u fut për tu larë, por nuk arriti të dilte më.
Fillimisht policia gjeti rrobat e tij në anë të lumit dhe pas kërkimeve të polumbarëve u gjet trupi i pajetë i viktimës.
Kjo është një tragjedi e përsëritur për këtë familje , pasi 10 vjet më parë, në të njëjtin vend 14-vjeçari ka humbur edhe vëllanë e tij. Ky i fundit po ashtu u fut për t’u larë në lum dhe humbi jetën.
Fqinjët rrëfejnë se familja është në kushtë të rënda ekonomike dhe më herët kanë humbur edhe babanë prej koronavirusit.
“Janë shumë hallexhinj, në punë dhe hall të tyre. Babai i ka lënë ka 4 vjet. Edhe një vëlla i është mbytur para 10 vitesh këtu. Këta me ndihmë ekonomike rrojnë, tani ia kanë ndërprerë fare. Kanaçe mblidhnin. Shumë çun i mirë ishte djali. E shikoja që gjuante këtu peshk. Nuk e kanë gjetur ende, do ta ketë marrë rryma.”