Pas viszitës së kreut të PD Sali Berisha, këtë të mërkurë edhe Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka zhvilluar një vizitë ngushëlluese në familjen Avdia.
Familja Avdia humbi tragjikisht vajzën 7-vjeçare, pasi u godit nga një skaf që drejtohej nga ish-polici Arjan Tase. Pas kësaj vizite Meta në një prononcim për mediat u shpreh se ngjarja është shumë e rëndë.
“Tragjedi e jashtëzakonshme, tepër tronditëse për çdo familje, prind, babë, nënë aq më tepër për familjen Avdia. Për babain që e përjetoi këtë tmerr aq pranë, për vëllain e vogël, për gjyshin që mezi e kishte pritur mbesën që t’i tregonte se e kishte përmirësuar gjuhën shqipe. Është një rast i pangushëllueshëm , pavarësisht jam i impresionuar nga forca e kësaj familjeje fisnike.
Një tragjedi që nuk ka asnjë lloj justifikimi, jo vetëm nga autori i papërgjegjshëm por edhe nga shteti qeveria. Ekziston një legjislacion për sigurinë në plazhe që nuk është respektuar. Është një vrasje e paralajmëruar. Kujtojmë plagosje që nuk kanë përfunduar me pasoja fatale dhe kemi një papërgjegjshmëri totale. Në një moment ku duhet të shfaqet pendese dhe marrja e vendimeve distancuese, na shfaqet se Shqipëria qenka sivjet e para në rajon për sigurinë në plazhe. Nuk ka tallje dhe fyerje më të madhe për të gjithë popullin.”
Ndërkohë sot në Tiranë pritet të zhvillohet edhe një protestë në orën 19:00 para Ministrisë së Brendshme.