Ditën e sotme po zhvillohet mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku është thirrur ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Në qendër të diskutimit për ditën e sotme është harta e re gjyqësore, e cila prej kohësh tashmë është një arenë e gjerë debatesh.
Ministri i Drejtësisë deklaroi se Dhoma e Avokatisë, ka shfuqizuar listën e avokatëve që u japin ndihmë juridike falas qytetarëve. Mes të tjerash ai kërkoi që të ndryshonte ligji për t’ia hequr këtë të drejtë Dhomës së Avokatisë. Kaq ka mjaftuar që të ndërhyjë deputeti i PD-së, Gazment Bardhi. Ky i fundit e cilësoi deklaratën e Manjës kërcënim për Dhomën e Avokatisë.
Ndërkohë, drejtuesja e diskutimit, Klotilda Bushka ka ndërhyrë duke thënë se nëse Bardhi nuk qetësohet, do të ndërpresë mbledhjen.
DISKUTIMI
Manja: Nuk funksionon procesi pa avokatin. Prandaj ligjvënësi kur bëri reformën në drejtësi, është kujdesur që në nenin 7 të ligjit për statusin e magjistratit, thuhet se magjistratit i kufizohet e drejta e grevës. Avokatët e kanë të kufizuar këtë të drejtë. Pavarësisht se janë profesion i vetëorganizuar, Kushtetuta nuk ia ka dhënë një kategori shërbimi që paguhet me një kontratë shërbimi me klientët. E drejta është e kufizuar për avokatët. Më lejoni të sjell në vëmendje të deputetëve. Kanë shfuqizuar edhe listën e avokatëve që japin ndihmë juridike falas për kategoritë vulnerabël, ku shteti shqiptar nga 2019-a dhe sot që flasim ka dhënë miliona lekë për ndihmë juridike falas. E kanë shfuqizuar në kundërshtim me ligjin, çka më ka bërë si ministër i Drejtësisë që t’i drejtohem ligjvënësit për një ndryshim në ligjin e avokatisë, ku siç ia kemi kufizuar magjistratëve në nenin 7…
Bardhi: A ka mundësi se nuk kemi ardhur të dëgjojmë kërcënime.
Bushka: Kolegë ju lutem, nuk e kuptoj që shqetësoheni për deklaratën e ministrit. Ndërkohë që ndihmën juridike falas ia kemi garantuar qytetarëve, dhoma e avokatëve e ka shfuqizuar. Sot qytetarët janë pa mbrojtje.
Bardhi: Ti po i heq gjykatat qytetarëve, po u shqetësoke ti…
Bushka: Zoti Bardhi të lutem mos më ndërprit, mos e bëni më. Ju kam dëgjuar dhe respektuar. E keni shumë të keqe mungesën e edukatës. Kur flet dikush, dëgjojeni me respekt siç ju dëgjojnë juve. Tani disa herë jua kemi tërhequr vëmendjen. Nuk jemi në kor këtu, ka rregulla.
Çupi: Nuk jemi në riedukim
Bushka: Nëse nuk jemi në riedukim, silluni sikur nuk jemi në kafe. Sikur nuk jeni në një vend që flasin në të njëjtën kohë.
Bardhi: Ty të mori fjalën ministri qëparë dhe nuk i the gjë.
Bushka: Nëse doni të bëni kor, unë e mbyll dëgjesën. Kur gjatë mbledhjes prishet qetësia, ndërpritet mbledhja. Do qetësoheni? Bardhi do pushosh të lutem. Apo ta ndërpres sipas rregullores.