Projektligji i Amnistisë Fiskale, i pilotuar për të legalizuar paratë dhe pasuritë nga aktivitetet e paligjshme dhe të dyshimta, ka zemëruar bizneset dhe grupet e ekspertëve që konsiderojnë se, bizneset dhe qytetarët që ushtrojnë aktivitet të ligjshëm shmangen nga projektligji. Nëse nuk falen gjobat dhe kamatëvonesat, bizneset në statusin pasiv nuk kanë mundësi të legalizojnë evazionin fiskal. Si po orientohet modeli ekonomik ndaj aktiviteteve të paligjshme, teksa ekonomia e ligjshme ka rënë në kurthin e produktivitetit
Nismat e fundit të qeverisë për legalizimin e kanabisit dhe aplikimin e një amnistie fiskale, edhe nëse nuk bëhen ligje të zbatueshme, ato po përkthehen si sinjale pozitive për aktivitetet e paligjshme, trafikantët dhe të korruptuarit.
Por nëse projektligjet bëhen ligje dhe miratohen nga Parlamenti, qeveria zyrtarisht po orienton, në mënyrë të hapur dhe të organizuar, ekonominë e vendit drejt aktiviteteve të kundërligjshme, që vitet e fundit janë shndërruar në furnizues të madh të bilancit të pagesave me “cash”. Paraja jashtë bankave, në fund të majit 2022, arriti në 368 miliardë lekë (3 miliardë euro), duke zënë rreth 23% të ofertës së parasë. Qarkullimi “cash” jashtë kanaleve zyrtare u rrit me rreth 7 pikë përqindje gjatë dekadës së fundit, edhe pse bankat promovuan shërbimet dhe pagesa me karta.
Me gjithë kundërshtitë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian, qeveria e rinxori për konsultim draftin e Amnistisë Fiskale, prej të cilit u tërhoq në vitin 2020.
Projekti ka në themel legalizimin e deklarimeve vullnetare të individëve, pa pyetur për origjinën në vlerën deri në 2 milionë euro “cash”, kundrejt një tatimi 7-10%, ndërsa nuk lejon transferimin e këtyre të hollave jashtë vendit për pesë vjet. Bizneset lejohen të pastrojnë llogaritë, duke deklaruar evazionin fiskal dhe ato që kanë krijuar pasuri jashtë vendit mund t’i riatdhesojnë.
Artan Hoxha, gazetar me përvojë, i cili merret me lajmet e kronikës së zezë, pohon se, projektligji i Amnistisë është i mirëpritur nga bandat dhe grupet e organizuara kriminale. Edhe pse vendet ku ato ushtrojnë aktivitetin nuk mund ta njohin ligjin shqiptar të amnistisë, trafikantët i kanë rrugët e tyre të sjelljes së “cash” në Shqipëri. Sipas tij, grupet e trafikut të narkotikëve dhe klandestinëve dhe të korruptuarit do të jenë përfitues të mëdhenj.
Biznese dhe ekspertë kundër projektligjit të Amnistisë, është amoral
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, tha se, nuk është aspak dakord me një nismë të tillë. “Është tërësisht pa kuptim tani pas 8 vitesh, kur qeveria ka zbatuar një strategji informalitet, të aplikojë një Amnisti Fiskale që përfshin edhe trafiqet.
Nëse po, kjo duhej bërë në vitin 2013. Tani nuk ka kuptim, pasi do të dekurajojë të gjithë biznesin e ndershëm të jetë korrekt me ligjin”, – shtoi z. Jaka, i cili ka vendosur të mos i përgjigjet ftesës për konsultim nga qeveria, pasi parimisht është kundër këtij projekti.
Arben Shkodra, nga Bashkimi i Unionit të Prodhuesve të Shqipërisë tha se projektligji i Amnistisë Fiskale është amoral, për shkak se targeton linjat dhe individët që ushtrojnë aktivitete amorale. Sipas tij, Amnistia do të ishte e pranueshme, nëse do të fillonte nga gjobat dhe kamatëvonesat e biznesit të krijuara nga pamundësia për të deklaruar në kohë gjatë viteve të krizës, tërmetit dhe pandemisë. Për shkak se, kjo amnisti nuk e çliron regjistrin pasiv të bizneseve, ajo nuk është e pranueshme për aktivitetet e moralshme.
Ekspertë të tjerë të ekonomisë mendojnë se, një projektligj i tillë është i dëmshëm për ekonominë. Selami Xhepa tha se, projekti i Amnistinë Fiskale, sipas variantit të qeverisë për nga përfitimet, i referohet botës së krimit.
Precedentë nga vende të tjera nuk tregojnë të tilla modele. Sipas zotit Xhepa, projekti i Amnistisë do të kishte kuptim për qytetarët dhe individët që kanë krijuar shmangie ose kanë transferuar para dhe kapital, për shkak të barrës së lartë tatimore.
Më tej, ligji do të dekurajojë tërësisht bizneset dhe individët e ndershëm, që kanë respektuar ligjin dhe detyrimet ndaj shtetit, duke paguar taksa dhe tatime shumë të larta se ato që do të paguajnë përfituesit e Amnistisë.
Eksperti i çështjeve makroekonomike, Pano Soko, u shpreh se, ajo shkatërron kolonën bazë të sistemit të vlerave shoqërore, pasi në të njëjtën kohë që biznesit të ndershëm po iu rrisim taksat, duke i goditur në momentin më të vështirë të një krize të thellë ekonomike, parasë së paligjshme po iu krijojmë lehtësi për të hyrë dhe për të dominuar tregun.
Zoti Soko tha se, ndalimi i parave të pista është detyrë e një qeverie, nuk është me zgjedhje.
Organizatat e biznesit, bankat dhe grupet e interesit janë duke studiuar projektligjin me organizata të specializuara ndërkombëtare. Dhoma Amerikane e Tregtisë tha se, ligje të tilla do të ishin të pranueshme, vetëm nëse janë të pranueshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL).
Kontabilisti Ahmet Gjinishi u shpreh se, në të tilla raste aplikohet sistemi bonus/malus, ku stimulohen edhe bizneset të cilat për tatimorët kanë qenë të rregullt. Amnistia e tanishme sjell një risi, e cila e përfshin procesin jo vetëm në dimensionin tatimor, por edhe në atë penal. Ai tha se amnistitë e mëparshme sollën pbarazi në treg, sepse u timuluan vetëm “shkelësit” dhe aspak subjektet e rregullta.
Nikolin Jaka
Është tërësisht pa kuptim tani pas 8 vitesh, kur qeveria ka zbatuar një strategji informalitet, të aplikojë një Amnisti Fiskale që përfshin edhe trafiqet. Nëse po, kjo duhej bërë në vitin 2013. Tani nuk ka kuptim, pasi do të dekurajojë të gjithë biznesin e ndershëm të jetë korrekt me ligjin
Politikat fiskale kontradiktore të qeverisë
Sistemi fiskal i Shqipërisë, përveç niveleve të larta të taksimit në raport me rajonin është ndërlikuar nga ndërhyrjet e shpeshta në legjislacion, mbështetjen e grupeve të veçanta të interesit, duke e bërë atë shpesh të pazbatueshëm dhe kontradiktor.
Pas shumë vitesh kërkesash, studimesh dhe përpjekjesh, Shqipëria pranoi këtë vit të zbatojë një Strategji Fiskale Afatmesme, që u sugjerua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN angazhoi një asistencë disavjeçare për rregullimin e legjislacionit fiskal, në themel të të cilit do të ishte barazia fiskale.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në shkurt të këtij viti, hapi procesin e konsultimit publik për Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave (SAA) 2022-2026. Ky dokument i rëndësishëm pasqyron reformat në fushën e politikave tatimore, administrimit tatimor dhe doganor që parashikohen të ndërmerren gjatë një periudhe pesëvjeçare.
Ministria e Financave referoi se, synimi i saj është përmirësimi i politikave fiskale, rritja e të ardhurave tatimore dhe efektivitetit të administratës tatimore dhe doganore në mbledhjen e tyre. Reformat kryesore tatimore dhe administrative të parashikuara janë hartuar me asistencën teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe janë të bazuara në direktivat e Bashkimit Europian në fushën e tatimeve, taksave dhe doganave.
Reformat kanë në fokus përmirësimin e politikave tatimore me qëllim rritjen e neutralitetit të sistemit tatimor, eliminimin e deformimeve të krijuara në sistem, si dhe përmirësimin e nivelit të tarifave tatimore. Qeveria tha se, reforma tatimore parashikon që në fund të saj, të rrisë të ardhurat tatimore me rreth +2.55% të PBB-së.
Dokumenti fiskal, i cili u pranua nga qeveria dhe është në zbatim, po tradhtohet nga nisma e fundit e qeverisë për Amnistinë Fiskale. FMN dhe Bashkimi Europian arritën të bindin qeverinë për të anuluar një variant të amnistisë në fillim të vitit 2020.
Por qeveria iu rikthye një projekti, që ka së paku 7 vite që rrotullohet në sirtarët e saj dhe parashikon të kanalizojë në banka, në mënyrë zyrtare, edhe paratë që vijnë nga aktivitetet kriminale. Kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, tha se, “nuk është aspak dinjitoze që një fabrikë me përvojë shumëvjeçare në treg, e cila mban aktivitetin me kredi dhe ka makineri me leasing, të konkurrohet nga një aktivitet kriminal, që pasi të ketë përfituar nga amnistia, ka mundësi të investojë në teknologjinë e fundit”.
Amnistia Fiskale po aplikohet në të njëjtën kohë me Strategjinë e re fiskale afatmesme. Qeveria, në njërën anë, po kërkon të formalizojë dhe të rrisë taksimin për profesionistët dhe biznesin e vogël dhe, në të njëjtën kohë, projektligji i Amnistisë lejon paratë e pista që burojnë nga aktivitetet kriminale të hyjnë lirisht në sistem.
“Kjo amnisti thyen parimin themelor të shtetit të së drejtës që është barazia e shtetasve para ligjit. Dikush që ka paguar taksat në rregull, apo që është penalizuar për vepra të njëjta si këto që po amnistohen, nuk do të jetë më i barabartë me dikë që sot, po i jepet mundësia për të pastruar paratë e kryera nga shkelja e ligjit. Kjo thyen parimin kryesor kushtetues të barazisë së shtetasve para ligjit”, tha ekonomisti Soko.
Amnisti evazionit të bizneseve, por tatimi i lartë
Projektligji i Amnistisë Fiskale parashikon që, subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare, që nuk i kanë deklaruar më parë, apo i kanë deklaruar në një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhet të deklaronin, pavarësisht nëse pasuritë janë të paregjistruara, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Shumat në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë, ndërsa për pasuritë e tjera, të detyrueshme për t’u regjistruar, ndiqen procedurat e regjistrimit sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës të fushës.
Bizneset në të gjithë vendin po e mirëpresin Amnistinë Fiskale për kapitalin dhe borxhet tatimore të propozuara, por norma e tatimit 7-10% është e lartë për bizneset dhe e njënjtë me paratë e krimit. Organizatat e biznesit pohojnë se një normë tatimi mbi 3% nuk do të ishte efektive për legalizimin e pasqyrave financiare.
Arben Shkodra, i cili drejton Unionin e Prodhuesve, thotë se, Amnistia Fiskale, sipas variantit aktual, nuk është bërë për sipërmarrjen. Ajo ka target dy-tre sektorë, që financohen nga paratë e aktiviteteve të pamoralshme dhe ato kriminale.
Amnistia do të mundësojë pastrimin e bilanceve nga borxhet fiktive, që kamuflohen në bilancet zyrtare të kompanive, si “detyrime të tjera të pagueshme”, por nuk do të ishte efektive nëse nuk falen gjobat dhe kamatëvonesat, tha Shkodra.
Kamuflimi i evazionit si borxh e ka përkeqësuar artificialisht levën financiare të bizneseve, duke bërë që qindra kompani në vendin tonë të vijojnë aktivitetin me borxhe, vlera e të cilave e kalon disa herë kapitalin.
Kontabilistët shpjegojnë se akumulimi i lartë i detyrimeve ndaj të tretëve është pikërisht zëri, që në një masë të madhe tregon evazionin fiskal, i cili në bilance raportohet si borxh. Të ardhurat që janë siguruar nga kompanitë prej mosfaturimit, ose deklarimit më të ulët të çmimit të shitjeve, janë raportuar në bilanc si hua nga të tretët.
Kontabilisti Ahmet Gjinishi shpjegon se, borxhet ndaj të tretëve në bilancet e kompanive, në pjesën dërrmuese të tyre janë evazion fiskal.
Ekonomistët e firmave pohojnë se një tjetër manovër e bizneseve, që ka rritur detyrimet në mënyrë fiktive, është marrja e huave fiktive nga ortakët, apo të afërmit, për të mbuluar të hyrat e pajustifikuara në arkë (të krijuara p.sh. nga diferencat e çmimeve reale me ato të raportuara, me synim shmangien e TVSH-së).
Ndonëse kjo sa vjen e bëhet më e vështirë, për shkak të uljes së kufirit të transaksioneve që kryhen përmes bankave, detyrimet fiktive në bilancet e kompanive po kthehen në një gangrenë për shumë biznese, që po ndërgjegjësohen se tashmë po u kushton më shumë të mbajnë këto bilance të fryra.
3 miliardë euro, jashtë bankave
Paraja në qarkullim jashtë sistemit bankar arriti në fund të muajit maj 2022, mbi 360 miliardë lekë, ose rreth 3 miliardë euro. Në vend që paraja “cash” të ulet, prej dixhitalizimit të shërbimeve të pagesave dhe rritjes së përdorimit të blerjeve me kartë, ajo po rritet me shpejtësi. Në fund të muajit, paraja jashtë bankave zuri 23% të ofertës monetare, me rritje 7 pikë përqindje gjatë dekadës, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Një pjesë e madhe e flukseve të parasë “cash” po vjen nga tregtia e narkotikëve.
Vetëm pak ditë më parë, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNDOC) raportoi se Shqipëria u rendit e shtata në botë vitin e kaluar për prodhimin e kanabisit. Studime të tjera tregojnë se një pjesë e fitimeve nga aktivitetet kriminale pastrohen në aktivitetet ekonomike në Shqipëri, kryesisht në pasuritë të paluajtshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të parave raportoi se gjatë vitit 2021 ka vërejtur transferta të dyshimta, të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës. Një nga mënyrat e pastrimit, sipas DPPP-së, janë edhe sponsorizimet, dhurime, dhënie huaje për
të tretë, pa u konstatuar lidhje të dukshme që justifikojnë transaksionet mes palëve. Pastrimi i parave vjen edhe në formën e transaksioneve të pazakonta krahasimesh me profilin financiar të personit/subjektit dhe investime në mallra luksi nga persona, të cilët nuk justifikojnë burimin e fondeve apo persona me precedentë penalë.
Artan Hoxha, gazetari i çështjeve të kronikës tha se, paratë e krimit po hyjnë në Shqipëri dhe ne nuk i pengojmë dot, por thjesht duhet të zgjedhim çfarë duhet të bëjmë me to. Por zoti Hoxha mendon se Amnistia po bëhet më së shumti për të legalizuar paratë e korrupsionit të zyrtarëve në shtet, sepse ata fitojnë më shumë.
“Trafikantët e bëjnë paranë jashtë dhe e sjellin në Shqipëri, zyrtarët e vjedhin nga tenderët dhe taksat tona dhe e çojnë jashtë në offshore”, tha ai, duke lënë të nënkuptojë se zyrtarët e kanë bërë ligjin.
Soko rendit 6 arsye kundër amnistisë fiskale
Panajot Soko, ekonomist me përvojë në politikat e buxhetit publik, renditi 6 arsye kundër amnistisë fiskale, sipas variantit të propozuar nga qeveria:
Së pari – Amnistia fiskale në thelb do të jetë një operacion pastrimi parash në shkallë industriale, ku të gjitha produkteve të veprave kriminale, që nga evazioni fiskal, korrupsioni, trafikimi i lëndëve narkotike, prostitucioni etj., do t’ju jepet një portë e gjerë për t’u pastruar dhe për të hyrë në ekonomi.
Së dyti – Kjo amnisti thyen parimin themelor të shtetit të së drejtës që është barazia e shtetasve para ligjit. Dikush që ka paguar taksat në rregull, apo që është penalizuar për vepra të njëjta, si këto që po amnistohen, nuk do të jetë më i barabartë me dikë që sot po i jepet mundësia për të pastruar paratë e kryera nga shkelja e ligjit. Kjo thyen parimin kryesor kushtetues të barazisë së shtetasve para ligjit.
Së treti – Paratë e formalizuara pas amnistisë fiskale do të shkatërrojnë konkurrencën në treg, pasi do të prishin balancën që sot tregu ka krijuar gjatë gjithë periudhës, pasi faktori “likuiditet” do të krijojë pozita të pamerituara dominuese në treg të operatorëve “të rinj” që do të hyjnë aty pas Amnistisë Fiskale.
Së katërti – Precedenti i Amnistisë Fiskale dhe të kapitalit, krijon rrezikun moral që shtyn njerëzit të besojnë se amnistimi do të jetë një proces i vazhdueshëm, ku çdo qeveri, për interesa elektorale do të iniciojnë procese të tilla kohë pas kohë, duke i shtyrë ata drejt informalitetit dhe duke rritur aktivitetin e paligjshëm në vend.
Së pesti – Kjo amnisti, në momentin që vjen, duke pasur parasysh ndryshimet në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, shkatërron kolonën bazë të sistemit të vlerave shoqërore, pasi në të njëjtën kohë që biznesit të ndershëm po iu rrisim taksat duke i goditur ata në momentin më të vështirë të një krize të thellë ekonomike, parasë së paligjshme po iu krijojmë lehtësi për të hyrë dhe për të dominuar tregun.
Së gjashti – E në të njëjtën formë shkatërrohet sistemi i vlerës dhe asaj që përbën themelin e saj edhe në momentin që shikon që një biznes i ndershëm, apo një i punësuar që punon në mënyrë të ndershme, paguan 15% tatim fitimi, dhe 23% tatim mbi të ardhurat personale, ndërsa një person që fitimin e ka krijuar në mënyrë të paligjshme paguan deri në 5% taksë për këtë fitim. Ky është kulmi i absurditetit të këtij ligji.
Arben Shkodra, projektligji i Amnistisë është amoral
Teksa qeveria është e vendosur ta shndërrojë në ligj projektin e Amnistisë Fiskale, Arben Shkodra nga Unioni i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë tha se nisma është amorale, pasi përfitues të ligjit janë persona që kanë kryer veprimtari amorale (trafiqe narkotikësh dhe trafiqe njerëzore), në një kohë që bizneset normale, që për shumë arsye, mund të mos kenë deklaruar, nuk përfitojnë, pasi atyre nuk falen gjobat dhe kamatat.
“Jemi të habitur që, me gjithë problematikat që ka sjellë tërmeti, pandemia dhe së fundmi lufta në Ukrainë, qeveria gjen kohën për Amnisti Fiskale në vend që të përnderohet për të mbështetur sipërmarrjen e ndershme dhe të ndihmojë në rritjen e produktivitetit”, tha Shkodra.
Pavarësisht problematikave që ka fryma e projektligjit dhe problemeve në formulim, Unioni i Prodhuesve nuk është dakord me Amnistinë në këto momente. Fillimisht, shteti duhet të kishte investuar në dixhitalizimin e shërbimeve.
Fatura elektronike ende nuk është bërë efektive dhe ligjet që tatojnë pasurinë duhet të ishin forcuar dhe duhet të ishin bërë funksionale, tha Shkodra. Sipas tij, ligji për Amnistinë duhej të aplikohej vetëm pasi qeveria të kishte vënë në funksion infrastrukturën ligjore dhe dixhitale për të shmangur evazionin dhe pastrimin e parave, pas zbatimit të ligjit.
Ai tha se, sipas variantit aktual, projektligji i Amnistisë duket se është pilotuar për të legalizuar pastrimin e parave në dy-tre sektorë dhe për të legalizuar paratë e korrupsionit të zyrtarëve.
Arben Shkodra
Nisma është amorale, pasi përfitues të ligjit janë persona që kanë kryer veprimtari amorale (trafiqe narkotikësh dhe trafiqe njerëzore), në një kohë që bizneset normale, që për shumë arsye, mund të mos kenë deklaruar, nuk përfitojnë, pasi atyre nuk falen gjobat dhe kamatat. Sipas variantit aktual, projektligji i Amnistisë duket se është pilotuar për të legalizuar pastrimin e parave në dy-tre sektorë dhe për të legalizuar paratë e korrupsionit të zyrtarëve.
Projektligji i Amnistisë Fiskale
Pasuria që lejohet të deklarohet
Pasuria që lejohet të deklarohet vullnetarisht, sipas parashikimeve të këtij ligji, nuk duhet të kalojë vlerën maksimale 2 000 000 (2 milionë) euro.
Për personat në përbërje të certifikatës familjare, pasuria që lejohet të deklarohet, sipas parashikimit të pikës 1, është tërësia e deklarimeve vullnetare të kryefamiljarit ose çdo personi madhor, bazuar në të dhënat e certifikatës familjare, sipas përbërjes që rezulton e dokumentuar deri më datë 1.1.2022.
Tatimi i posaçëm 7-10%
Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka apo institucioni financiar mban një tatim të posaçëm prej:
a) 7 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në 4 muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;
b) 10 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas 4 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Nëse subjektet që kanë bërë deklarimin vullnetar të shumave në të holla nëpërmjet depozitimit të tyre në llogari bankare, vendosin t’i investojnë shumat e deklaruara në tituj shtetërorë, bono thesari apo obligacione jo më të vogla se 2 vjeçare, Banka e Shqipërisë në rolin e Agjentit Fiskal, mban një tatim të posaçëm prej:
– 5 për qind të shumës totale për investime të bëra në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;
– 7 për qind të shumës totale për investime të bëra pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të luajtshme apo të paluajtshme të deklaruara vullnetarisht pranë Njësisë, tatimi i posaçëm paguhet, si më poshtë vijon:
– 7 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;
– 10 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
-Bankat e nivelit të dytë, apo institucionet financiare transferojnë të ardhurat nga pagesat e tatimit të posaçëm në kuadër të këtij ligji, në llogarinë e posaçme të thesarit, të Ministrisë përgjegjëse për Financat.
-Detyrimet tatimore të subjekteve përfituese, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar, konsiderohen të paguara rregullisht dhe autoritetet kompetente tatimore nuk mund të kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara sipas përcaktimeve të këtij neni.
Marrë nga Monitor