Jemi në sezonin turistik të verës dhe në hapësirën bregdetare mungojnë plazhet publike. Ky shqetësim për shumë qytetarë është ngritur nga ‘Nisma Thurje’, ku përfaqësues të lëvizjes kanë zhvilluar një protestë ndryshe para Ministrisë së Turizmit.
Me shezlong dhe çadër përpara Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për mungesën e hapësirave në plazhet publike. Përmes një peticioni ata kërkuan plazh 100% publik dhe gjithashtu bënë me dije se kanë hartuar një projektligj që do ta depozitojnë në parlament, me qëllim rikthimin e plazhit falas.
‘Nisma Thurje’ synon që vija bregdetare të mos i nënshtrohet privatizimit masiv, pasi tashmë hapësirat e plazhit mund të shfrytëzohen vetëm kundrejt një pagese.
Postimi i “Nismës Thurje” në rrjete sociale:
Meqënëse Ministria e Turizmit ka vendosur që t’ja jap të gjithë vijën bregdetare privatit dhe investitorëve strategjikë, vendosëm që “plazhin” sot t’a bëjmë pranë derës së këtij institucioni.
Komunikimi për media:
Në Radhimë mund të kishte ndodhur një tragjedi, njësoj si ajo e një viti më parë në Velipojë. Shezllonet edhe njëherë u bën mollë sherri për konflike me armë, këtë herë madje dhe mes dy vëllezërve. Babëzia për të privatizuar plazhet është e madhe. Po aq e madhe është edhe papërgjegjshmëria e institucioneve të cilat detin po ua falin oligarkëve, investitorëve strategjik si dhe bizneseve që ndoshta paguajnë edhe rryshfet për të marrë sa më shumë metra katror rërë, e për çadra që variojnë nga 500 deri në 3 mijë e 500 lekë qëndrim ditor.
Prej javësh kemi monitoruar vijën begdetare dhe kemi vënë re se hapësirat publike nuk ekzistojnë, janë thërrime, të papërfillshme, kundrejt privatizimit masiv. Ndërkohë që shqiptarët nuk kanë vend ku të bëjnë plazh, Minstria e Turizmit nuk denjon të kthej përgjigjie për shqetësimet që kemi ngritur. Na zvarrit duke e deleguar përgjegjësinë tek Agjencia Kombetare e Bregdetit, e cila edhe pse ka detyrim që të sigurojë performancën e zonave bregdetare, e vetmja punë që bën është propaganda me foto në faqen e tyre të ëebit.
Ndaj sot kemi ardhur këtu përpara ministrisë për dy qëllime: e para për të bërë plazh falas në këtë kohë të nxehtë, se në bregdet nuk gjetëm vend ku ta ngulnim çadrën falas, dhe e dyta për t’i kërkuar llogari këtij institucioni.
Zonja ministre: A keni dhënë leje që në pjesë të ndryshme të plazheve në Vlorë, Palasë, Dhërmi, Sarandë, Jalë, Himarë, Ksamil, Kakome, Durrës, Gjiri i Lalzit dhe Qerret të kufizohet hyrja për qytetarët dhe a jeni në dijeni që në këto plazhe apo në plazhe të tjera ka persona fizik apo kompani private që kanë vendosur tra, tela me gjemba, porta hekuri dhe roje, dhe nuk të lënë të hysh?
Kush mban përgjegjësi për plazhet e zaptuara, për rojet bregdetare që mungojnë sipas ligjit të distancës, për mosdezinfektimin e bregdeteve si dhe për derdhjen e ujrave të zeza në ujrat detare?
Zoti e bekoi Shqipërinë me vijë bregdetare, ndërsa ju kerkoni që kjo bukuri të shijohet vetëm duke paguar shqiptarët te miqtë tuaj, të cilëve ju me taksat tona u ndertoni rrugën për të resorti, u ndërtoni tunele, u jepni tokë falas, u jepni ndihmë ekonomike, i ulni taksat, dhe i lini ditën me diell të zhvasin edhe më tepër qytetarët.
Kjo historia juaj me miqësi e krushqi që keni me këta njerëz duhet të marri fund. Miqësinë mbajeni por jo në kurrizin tonë, jo me taksat tona, jo duke na varfëruar ne e duke pasuruar ata. Boll më me këtë sistem zaptues dhe zhvatës ekonomikisht. Plazhet i duam për vete, 100% publik ashtu si në të gjithë botën, vetëm në Shqipëri ndodh e kundërta.
Firmosni peticionin për t’i kthyer plazhet 100% publike https://forms.gle/EGXj6j2XCshUJ53N7