Ditën e sotme, Balla ka mbrojtur ministren Olta Xhaçka nga akuzat që rëndojnë mbi të, në lidhje me pasurinë që zotëron bashkëshorti i saj.
Bashkëshorti i ministres ka investuar miliona në rivierën shqiptare, por askush nuk i kërkon llogari sesi i vuri këto miliona, sa janë detyrimet që ka paguar në shtet dhe të tjera të dhëna, që kërkon ligji për deklarimin e pasurisë.
Taulant Balla zgjodhi t’i konsiderojë akuzat ndaj Xhaçkës si flluska sapuni, ndërsa shtoi se Shqipëria ka nevojë për investime private përsa kohë që ligji nuk është shkelur, referuar rastit të bashkëshortit të ministres Xhaçka. Kjo lë të kuptojmë që PS nuk i hap rrugë opozitës në procedurat për heqjen e mandatit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Pyetje nga gazetarët: A do ti hapë rrugë PS që mandati i Olta Xhaçkës të përfundojë në Kushtetuese?
Taulant Balla: Lërini institucionet të bëjnë punën e tyre. Ka një kërkesë për të. Nesër kemi një seancë ku do të njihemi edhe zyrtarisht. Nëse doni vlerësimin tim, është një flluskë sapuni. Nuk ka asgjë konkrete. Gjithçka është vepruar sipas ligjit. Ju lutem duroni e prisni. Të gjithë qytetarët do të jenë të qartë se nuk ka të bëjë me asnjë shkelje të Kushtetutës dhe as konflikti të interesave.
Pyetje: A ka një vend në rajon ku bashkëshorti i një ministreje shpallet investitor strategjik?
Taulant Balla: Shqipëria ka nevojë për shumë investime në sektorin e turizmit. Investimet private janë të mirëpritura sa kohë janë në kuadrin e përcaktuar nga ligji. Investitori strategjik nuk ka asnjë lloj përfitimi nga fondet publike. Në të gjitha rastet është investim me fond privat. Investitori strategjik s’ka asnjë përfitim nga fondet publike. Ajo që dua tu kërkoj dhe kolegëve të opozitës e mazhorancës është që këshilli të ndjekë procedurën, të njihet me dosjen, sqarimet përkatëse dhe në fund do të shkohet në seancë. Është flluskë sapuni, ka nevojë të mbushë vakumin e agjendës opozitare në këto ditë të nxehta. Sapo mendjet e nxehta të opozitës të gjejnë një çështje tjetër jam i sigurt që do tërhiqen se e dinë që s’ka asnjë gjë brenda.
Por pse akuzohet ministrja?
Bashkëshorti i ministres Olta Xhaçka, Artan Gaçi do të ndërtojë përmes një kompanie të tretë, një resort turistikm në Dhërmi, pasi është shpallur edhe “investitor strategjik” nga qeveria Rama. Në skemën e dyshuar si klienteliste, kunata e ministres Xhaçka, Taëni Lin Grzych-Sutton, një shtetase 30-vjeçare nga Masaçusets i SHBA, e cila prej vitesh bashkëjeton në Tiranë me vëllain e Xhaçkës mori pronën në fjalë në përdorim në bregdet përmes një kompanie e cila u ngrit dhe u asistua nga administrata e kompanisë së Gaçit. Paralelisht Me firmën e Kryeministrit Rama, kompania “AG.Tç” SH.P.K në pronësi të bashkëshortit të ministres Xhaçka, shpallet investitor strategjik për ndërtimin e resortit në Dhërmi, i cili parashikon marrjen e tokës në bregdet në përdorim për 30 vite. Kryeministri Rama ndryshon vendimin e datës 22/02/2021 dhe shton kompaninë e kunatës si investitore strategjike. Vetë Gaçi i pyetur për mediat ka thënë më herët se është ai investitori por nuk ka deklaruar se shtetasja amerikane në fakt është njohje e tij dhe krushqi e të shoqes ministre. Me këtë vendim, familja Xhaçka përfiton marrjen e pronës publike në përdorim deri në 30 vjet dhe infrastrukturë falas nga shtetit. Por ministrja thotë se nuk ka asnjë konflikt interesi dhe se bashkëshorti i saj është një “emigrant ëndërrimtar”.