Që prej datës 1 maj 2022 të gjitha shërbimet që ofroheshin nëpër sportele kaluan ‘online’, teksa çdo ditë e më shumë ka ankesa për mosfunksionimin e portalit e-Albania.
Edhe Dhoma Amerikane ka të njëjtin shqetësim si shumica e qytetarëve.
225 kompani të anëtarësuara në Dhomën Amerikane gjatë një takimi me drejtorin e Doganave, Gent Gazheli u ankuan për mosfunksionimin e shërbimeve online. Sipas kryetares së Komitetit të Taksave të Dhomës Amerikane aksesi në e-Albania për bizneset nuk po funksionon.
“Ne po vuajmë të gjithë nga sistemi online aktualisht sepse edhe në administratat e tjera është vendosur sistem nga 1 Maji dhe ka problem që po i ndjejnë dhe nuk janë zgjidhur ende”, tha Alketa Uruci.
Ndërkohë që drejtori i Përgjithshëm i Doganave, u vendos me ‘shpatulla pas murit’ përballë ankesave dhe u shpreh se janë duke punuar me AKSHIN për të rregulluar sistemin.
Kujtomë që më herët ka qenë Konfindustria Italiane që ka kritikuar funksionimin e portalit “e-Albania”, ku deklaroi se aplikimet online nëpërmjet portalit e-albania që janë bërë të detyrueshme dhe pa asnjë alternativë tjetër që nga data 1 maj, po i krijojnë biznesit vështirësi të panumërta.
Sipas letrës, portali duhet të kishte kaluar përmes një periudhe prove derisa të kolaudohej tërësisht, për të shmangur çrregullimin, kostot dhe mosbesimin tek shërbimet online.