Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë Gent Cakaj ka filluar lëvizjet në diplomaci, por i duhet të marrë konsensusin e Presidentit Ilir Meta për këtë proces.
Gent Cakaj ka menduar që të dërgojë si ambasador në Spanjë, Gazmend Barbullushin duke qënë se Shqipëria nuk ka një të tillë në këtë vend.
Kujtomë se Meta nuk e njeh si ministër të jashtëm Gent Cakajn, pasi në këtë funksion ai njeh Edi Ramën të cilin e ka dekretuar.
Në këtë mënyrë ai duhet ta përcjellë kërkesën përmes firmës së kryeministrit.
Ministri në detyrë, Cakaj ka ndjekur procedurën e zakonshme ku në Kuvend, të zhvillohet një seancë dëgjimore me Gazmend Barbullushin, që ai të jetë ambasador në Spanjë.
“Seancë dëgjimore për emërimin në postin e Kreut e Misionit Diplomatik të z. Gazmend Barbullushi, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, resident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut, në Republikën Islamike të Mauritanisë si dhe Principatën e Andorrës,” – thuhet në dokument.
Seanca dëgjimore do të bëhet nga Komisioni për Politikën e Jashtme, të mërkurën në orën 12.00.
Pas kësaj, kandidatura do t’i kalojë presidentit. Ambasadori emërohet dhe lirohet nga Presidenti i Republikës, jo më vonë se 30-të ditë pas propozimit të Kryeministrit.
Ministri i Punëve të Jashtme i paraqet Kryeministrit propozimin për emërimin dhe lirimin e ambasadorit.
Përpara emërimit të ambasadorit nga Presidenti i Republikës, Komisioni për Politikën e Jashtme organizon seancë dëgjimore me kandidatin për t’u emëruar ambasador dhe i përcjell Presidentit të Republikës opinionin për kandidaturën e propozuar.