Ditën e djeshme, një aksident tragjik ka ndodhur në Berat, ku 25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj së bashku me të birin 6-vjeçar kanë rënë në lumin Osum.
Mjeti me të cilin udhëtonin, i drejtuar nga 25-vjeçarja ka rënë në lumë si pasojë e humbjes së kontrollit nga shoferja në timon.
Ndërkohë, sot nënë e bir janë përcjellë sot për në banesën e fundit. Klaudia dhe Samuel Xhaferaj, që humbën jetën dje tragjikisht në një aksident të rëndë, ku mjeti Fuoristradë ‘Benz ML’ që drejtonte e reja humbi kontrollin dhe ra në Osum, do të prehen sot në varrezat e qytetit. Dy makina funerali përcollën arkëmortet me trupat e tyre të pajetë, për të lënë pas dhimbjen te familjarët e tyre.
Familjarë, miq e të afërm të familjes Xhaferraj, kanë përcjellë në orën 13:00 akt-mortet e dy viktimave të aksidentit në varrezat e Burdulliasit. Komshinj të viktimave shprehen se, Klaudia ishte një vajzë e edukuar, një nuse shembullore dhe një familje e rregullt. “Ishte një vajzë e mirë, i respektonte të gjithë në lagje, kishin blerë një shtëpi këtu në lagjen Çlirim, pas ardhjes nga emigrimi të bashkëshortit të Klaudias, Gjergji Xhaferraj. Lajmin e morëm vesh nga mediat dhe u tronditëm shumë. Klaudia dhe fëmijët vinin çdo ditë dhe blinin në dyqanin tim, ende edhe sot nuk e besojë që kanë vdekur”, shprehet Fizja, shitësja e dyqanit ushqimor të lagjes.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruar për BalkanWeb në lagje ka pllakosur heshtja.
Vlen të theksohet se burimet zyrtare të policisë kanë dalë në përfundimin se shkak për aksidentin e rëndë është bërë “pakujdesia në drejtimin e mjetit” nga vetë 25-vjeçarja,e cila kishte bërë fillimisht një parakalim të gabuar dhe më pas kishte humbur kontrollin, duke u përplasur me kangjellat e rrugës dhe më pas përfunduan në lumë.
Klaudia Xhaferaj kishte lindur në 17 qershor të vitit 1997 në fshatin Zhitom i Madh he në moshën 17-vjeçare ishte martuar. Për vite me radhë ajo dhe burri i saj jetuan me qira në Berat dhe para 4 vitesh blenë shtëpinë e tyre, në katin e pestë të një pallati ekzistues.
Klaudia kishte mbushur 25 vjeçe disa ditë parë dhe bashkëshorti i saj i kishte blerë edhe makinën si dhuratë për ditëlindje, një muaj para se të kishte festën. Ndërkohë, burime për gazetaren Eneida Petova thanë se nëna e dy djemve kishte 20 ditë që kishte marrë patentën.