Disa javë më parë ndaj djalit të pronarit të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec, Johan Muçllarit u krye një atentat me qëllim vrasjen e tij.
Ndërkohë që ditën e sotme Policia e Pogradecit ka vënë në pranga shtetasin Grisel Maxhari, i cili ishte shpallur në kërkim që prej muajit prill, pasi dyshohet për tentativën e vrasjes ndaj Johan Muçllarit. Autori tjetër Firdeus Berberi është ende në kërkim.
Kujtojmë që ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prishja e qetësisë publike”. Për atentatin ndaj Muçllarit janë arrestuar më herët edhe pesë persona të tjerë, të cilët ndihmuan dy autorët që t’i largoheshin policisë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ekzekutimin e vendimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për ndalimin e shtetasit në kërkim G. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.04.2022, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prishja e qetësisë publike”.
Ndalimi i shtetasit G. M., lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 25.04.2022, në qytetin e Pogradecit, ku 22-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin F. B., (i shpallur në kërkim) tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.