Në orët e para të mëngjesit një pallat në Astir është përfshirë nga flakët, ku si pasojë janë lënduar 8 persona dhe janë djegur 4 makina. Ndërkohë një nga banorët ka treguar për “News 24” momentin kur ka kuptuar se zjarrin në pallat dhe vështirësitë me të cilat është përballur ndërsa tentoi të dilte jashtë. Banori është shprehur se ndërkohë që zjarri po ‘pushtonte’ pallatin, ai ishte në gjumë dhe u zgjua teksa dëgjoi zhurmat që po bëheshin poshtë, kryesisht nga motorrat. Ai thotë se zbritja nga shkallët kishte rrezikshmëri sepse tymi bllokonte frymëmarrjen. Gjithashtu ai shton se kanë qëndruar poshtë deri në orët e vona, derisa erdhi policia dhe zjarrëfikëset.
“Mbrëmë ra zjarri, isha në gjumë. Dëgjova një zhurmë ndoshta plasën motorrat poshtë. Kur dola tek dera korridori ishte mbushur me tym, drita nuk kishim, me zor ndeza dritën e telefonit. Kur dola poshtë nëpër shkallë pashë që i gjithë pallati kishte zbritur dhe unë e gruaja ishim të fundit. Zbritja nëpër shkallë ishte e rrezikshme sepse të merrej fryma nga tymi. Poshtë qëndruam deri në orën 02:00 se erdhën policia e zjarrfikëset. Tymi ishte shpërndarë edhe në pallatin tjetër, zjarrfikëset vunë shkallët dhe nxorën nga katet e larta familjarët që rrezikoheshin. Zjarrfikësja ka reaguar shpejt”, ka deklaruar banori.