Ngjarja e rëndë e cila tronditi kryeqytetin ditë më parë ku humbi jetën 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj pasi i vendosën lëndë plasëse në makinë është kthyer sërish në vëmendje mbrëmjen e sotme ku rrëfehet shoku i tij i cili shprehet se njihej me të prej shumë kohësh dhe gjithashtu tregon se 27-vjeçarit i hoqën patentën pasi konsumonte pije alkolike.
Dëshmia e mikut të 27-vjeçarit, zbardhet nga gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Shënjestër”, i cili flet për takimet me të, por edhe për borxhet që ai kishte.
Shoku i viktimës, E.G:
“Kam një javë që kam nisur punë si topograf. Në kohën e lirë shoqërohesha me Aleksandër Sadikaj, i cili njihet edhe me pseudonimin Sancho. Me të jam njohur që fëmijë, por kam filluar të shoqërohem me shumë dy vite e fundit. Dy muaj më parë, atij i kishin hequr patentën, pasi e kishin konstatuar nën efektin e alkoolit. Me të kam pasur marrëdhënie shumë të mira dhe frekuentonin lokalin e tij në Selitë. Aleksandri merrej me administrimin e lokalit dhe fermës së tij në Memalilaj “Sanco Farm Albania”. Zakonisht lëviznim me Golfin e Bardhë të tij me targë AA077PO. Ai lëvizte ndonjëherë edhe me një Ford Kuga të bardhë ne pronësi të të dashurës së tij. Pothuajse një herë në javë iknim ne Memaliaj ku qëndronim dy ose 3 ditë. Ka raste kur iknim e vinin brenda ditës.”
Ai iu dha hetuesve edhe disa detaje të tjera të jetës së Sadikajt, që lidheshin me borxhe që persona të ndryshëm i kishin atij dhe që për këtë arsye ishte në konflikt me ta.
Shoku i viktimës, E.G:
“Nuk kam vënë re asnjë shqetësim tek ai. Por as Aleksandri nuk fliste. Ai nuk i kishte borxh askujt. Por kam dëgjuar në biseda dhe më ka thënë se një person që e thërrisnin me pseudonimin “Peqja” nga qyteti i Kuçovës i kishte një borxh prej 15 ose 19 milionë lekësh të vjetra. Madje këto ditë, “Peqja” i kishte dërguar një person, i cili po ndërmjetësonte që ti sillte paratë e borxhit dhe ta mbyllte si problem. Në kohën që ja kishte dhënë paratë, ai nuk i kishte t’ja kthente dhe kishin rënë dakord që t’i jepte përqindje interesi.”