Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar gjatë një konference për shtyp në Kiev, se vendi ynë do të kontribojë në rindërtimin e banesave në Irpin të Ukrainës. Sipas tij Shqipëria së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit do të hartojnë një plan për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës. Ai nuk ka lënë pa ironizuar shtete e BE duke thënë se do ta bëjmë këtë në mënyrë ballkanike.
“Ne duam ta bëjmë këtë në një mënyrë ballkanike, pa burokraci të panevojshme”, tha kryeministri i Shqipërisë.
Mendohet se Rama e ka thënë këtë duke thumbuar disa vende të Bashkimit Europian të cilat po vonojnë antarësimin e vendeve të “Ballkanit Perëndimor” ku bëjmë pjesë edhe ne.
“Ne e pamë Irpin, Borodianka me sytë tanë. Më vjen mirë që pranuat propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet tona dhe për të ndërtuar një lagje ose shtëpi të ndara në Irpin nga vendet tona,” tha ai duke iu drejtuar Zelenskit.
Nga ana tjetër, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic tha se kishte rreth 10,000 refugjatë ukrainas në Mal të Zi, duke shtuar se vendi i tij ndjehej sikur “po priste njerëz vendas”.
“Ju keni miq. Na besoni, ne kemi pasur përvojë të ngjashme 30 vjet më parë. Ne e dimë se çfarë është lufta, agresioni dhe krimet e luftës,” tha Abazovic.
Gjithashtu kujtojmë se Shqipëria ka treguar mbështetjen ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës.