Për herë të parë që nga vdekja e të atit, vajza e ish-Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani, Fiona Nishani ka thyer heshtjen duke shkruar disa “fjalë zemre” për të atin. Përmes një postimi prekës në rrjetet sociale me mbishkrimin “Ende nuk mbushem me frymë”, Fiona ka publikuar një foto ku shihet ajo me babain e saj.
Kujtojmë se për Nishanin kanë dhënë mesazhe ngushëllimi shumë personalitete të fushave të ndryshme, familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij.
Ish-Kryeministri Sali Berisha shprehu ngushëllimet për bashkëshorten, fëmijët dhe qytetarët shqiptarë që siç tha ai humbën një shtetar dinjitoz. Gjithashtu ish-kryeministri u shpreh se Nishani ishte një nga bashkëpunëtorët e tij me të ngushtë, me të cilin ndante edhe miqësi. Sipas Berishës, ai nuk është sot fizikisht, por do të mbetet gjallë përjetësisht.
Po ashtu edhe ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, shprehu ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani, në moshën 56-vjeçare. Në një mesazh në “facebook”, Topalli thekson se Nishani ka një histori të veçantë njerëzore dhe politike, ndërsa kujton edhe një takim me të shumë vite më parë. Gjithashtu Topalli shprehet se është takuar me Nishanin, para se ai të bënte një operacion të vështirë dhe ku askush nuk e dinte si do të shkonte.
Po ashtu dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit. Meidani shprehet se Nishani ishte Presidenti më i ri në moshë gjatë periudhës së pluralizmit politik. Ndër cilësitë e ish-Presidentit, Meidani veçon maturinë, thjeshtësinë dhe qetësinë.
Bujar Nishani u nda nga jeta më 28 maj në një spital në Gjermani ku ishte i shtruar për kurim pas komplikacioneve që shfaqi pas infektimit me COVID-19. Prej muajsh ish-presidenti ishte i shtruar rëndë në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.
Ndërkohë një muaj para se të ndërronte jetë, Nishani u shtrua në Sanatorium pasi u infektua me koronavirus. Dy ditë pas shtrimit, gjendja e tij u rëndua dhe u transportua drejt Gjermanisë, ku ndërroi edhe jetë.
Kush ishte Bujar Nishani
Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.
Studimet e larta, Bujar Nishani i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997, ai kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.
Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
Më 11 qershor 2012, Kuvendi e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.
Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit. Ai u zgjodh në vitin 2012, i cili përkujtoi 100 vjetorin e krijimit të Shqipërisë së pavarur dhe ishte një festë një vjeçare.