Zhvillohen protesta sërish nga punëtorët e inceneratorit të Elbasanit. Ato protestojnë për arsye të mosmarrjes së pagave, më konkretisht pagën e muajit mars. Kjo sipas tyre ka ardhur si pasojë e tërheqjes së firmës dhe më pas kalimit të inceneratorit në pronësi të Bashkisë Elbasan. Kompania Albtek Energy, e cila ka në zotërim koncesionin për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan përfshi inceneratorin, u sekuestrua në dhjetor të vitit që shkoi nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit, për shkak të akuzave mbi drejtuesen e saj Stela Gugallja, e cila është arratisur. Pas vendosjes së sekuestros për kompaninë u caktua si administrator shtetëror Arjan Baçi.
“Ne kërkojmë sipas rregullave, sipas kontratës së punës, rrogën e marsit. Na e mbajtën rrogën, plus që kaluam me bashkinë dhe rrogat na i mohuan. Unë jam viti i tretë që punoj këtu. Këta kanë nga 5 vjet që punojnë këtu dhe i mohohet rroga 293 mijë lekë. Me 293 mijë e përballon dot situatën e shtëpisë? Mua më vijnë 50 mijë drita, 10 internet, plus ujë. Po ushqim me çfarë do marr unë? Ne e kemi pezulluar punën, dhe dje e pezullova. Puna është shumë e vështirë, krijojmë alergji të brendshme, plus lëkura. Kushtet janë shumë të vështira dhe nuk kemi trajtimet”, thotë njëri nga punëtorët e pranishëm në protestë.
Kalimi i inceneratorit në pronësi të bashkisë, sipas punëtorëve ka sjellë ulje të pagave dhe aktualisht nuk marrin as atë minimalen. Kjo ua ka vështirësuar shumë jetën këtyre punëtorëve , po ashtu edhe sikur të mos mungonin këto problematika atyre iu shtohet dhe mosmarrja e rrogës.
“Rrogën e muajit mars nuk e kemi marrë, nuk e di pse na mohohet. Ne kemi punuar. Na është mohuar gabimisht a me qëllim nuk e di. Duam rrogën e muajit mars dhe rrogën që na takon me këtë firmën që e ka marrë bashkia tani. 293 mijë lekë që marr, kam ardhur të shtunë të diel më ka paguar 500 lek, 250 lekë dita. Unë kam 7 vite e gjysmë këtu. Është shumë e vështirë të punosh. Na dhemb mesi nga peshat. Nëse nuk gjejmë zgjidhje do ik nga puna dhe më mirë të mbledh kanaçe. Ne duam të vijnë të na sqarojnë për çfarë arsye dhe të na i japin rrogën”, thotë një tjetër.
Kjo është hera e dytë që punëtorët e inceneratorit të Elbasanit çohen në protesta me të njëjtin motiv, mosmarrjen e rrogave. Më herët më 17 shkurt rreth 30 punëtorë të riciklimit të mbetjeve, protestuan para dyerve të impiantit, pasi thanë se kishin dy muaj pa paguar.
Ata thanë se janë në vështirësi të mëdha ekonomike dhe paga që marrin aty është shpresa për familjet e tyre që të mund të sigurojnë minimumin e jetesës.
“Jam 8 vetë në familje. Unë kam marrë kredi dhe kredia ka dy javë që ka kaluar. Kemi arritur kemi dalë këtu në rrugë. Kemi dy muaj që nuk i marrim”, tha para kamerave një prej punonjësve para dyerve të impiantit në periferi të Elbasanit.
Ndërkohë asokohe protestuesit shpreheshin se kishin marrë premitime që rrogat do të jepen, por këto premtime u tejzgjatën prendaj u ngritën në protestë.
Protesta u shua pasi protestuesit hynë brenda për të takuar administratorët me kërkesën e dy përfaqësueve nga brenda impiantit. Pas kësaj ata nuk dolën më nga godina dhe mësohet se kishin marrë turnin duke vijuar punën.
Aktualisht inceneratori i Elbasanit vazhdon të grumbullojë mbetjet e Elbasanit dhe të disa bashkive të tjera.