Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane, pasi është kapur me 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë.
Kajmaku është arrestuar më datën 27 maj në një operacion anti drogë të zhvilluar në zonën e San Benedeto del Tronto në Itali.
Agim Kajmaku ish-kryetar i bashkisë Vorë akuzohet në Shqipëri për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.
Policia italiane ka publikuar pamjet e aksionit për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili u kap me 20 kg kokainë. Mediat italiane shkruajnë se në rast se droga do të shitej në treg, do të kapte vlerën e rreth 1 milion eurove.
Ish-kryebashkiaku u kap bashkë me nipin e tij. Ata kishin blerë bimët e vogla në fidanishte, por më pas i vendosën në vazo më të mëdha që i blenë në një biznes lokal, në mënyrë që të fshihnin drogën brenda.
Para se të bëhej ndryshimi, pronari i fidanishtes lajmëroi policinë italiane, të cilët më pas arrestuan Kajmakun dhe nipin e tij. Operacioni për arrestimin e Kajmakut është kryer nga karabinierët italianë më 26 maj të këtij viti.
Policia italiane për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje të grupit ka montuar kamera në disa akse banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet për trafikimin e kokainës në Itali dhe jo vetëm.