Përsëritet historia, as ky vit nuk ka bërë përjashtim, teza e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ka dalë jashtë institucioneve ku po zhvillohet testimi. Shkak bëhen maturantët të cilët duket se kanë bërë të mundur futjen e telefonave celularë në klasa, pavarësisht rregullave të rrepta të ndjekura nga Ministria e Arsimit.
Ditën e sotme po i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë 33 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë
Edhe pse MAS ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e procesit, duke angazhuar rreth 7000 mësues në monitorimin e maturantëve, përsëri disa foto të provimit të Gjuhës dhe Letërsisë po qarkullojnë nëpër rrjet. Provimi mësohet të ketë filluar rreth orës 10:30.
Fotot kanë dalë vetëm pak minuta pasi maturantët kanë hyrë në klasa, ku aktualisht po zhvillohet provimi. Ato janë zbuluar nga një gjimnaz i ndodhur në zonat periferike dhe jo nga shkollat e qendrës.
Maturantët duket se nuk i tremben ndëshkimeve të parashikuara në rast të publikimit të tezave të provimit. Në rregulloren e Maturës Shtetërore, e publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit parashikon ndjekje penale për personat që arrijnë të publikojnë këto materiale të rëndësisë së veçantë.
“Për çdo person të tretë, i cili publikon materiale të një rëndësie të veçantë , deri në çastin e përfundimit të kohës së testimit, ndaj individit që i ka publikuar do të kërkohet ndjekje penale nga organet përkatëse nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar”, nënvizohet në rregullore.
Kjo nuk është hera e para që Matura Shtetërore përfshihet në një skandal të tillë, me nxënësit që arrijnë të fusin brenda ambienteve ku zhvillohet testimi telefonat e tyre celularë, pavarësisht kontrollit të rreptë.
Provimet e Maturës Shtetërore 2022 do të zhvillohen nga data 9 qershor deri në datën 24 qershor. Aktualish ka përfunduar provimi i gjuhës së huaj, i cili u zhvillua dy ditë më parë më 9 qershor 2022. Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë po zhvillohet ditën e sotme. Ndërsa mbetet për tu zhvilluar provimi i matematikës më 17 qershor dhe ai i lëndës me zgjedhje më 24 qershor.
Sipas udhëzimit, provimet e Maturës Shtetërore do të fillojnë në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasin dy orë e 30 minuta. Testet e Maturës Shtetërore janë hartuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, ku secili test do të vlerësohet me 60 pikë maksimale.
Maturantët që rezultojnë mbetës i japin provimet në sesionin e dytë.