Pas arratisjes spektakolare të tre shqiptarëve në Itali, dy prej të cilëve u arrestuan më pas nga policia, bëhet e ditur e kaluara e të vetmit që nuk është kapur akoma nga autoritetet. Edison Pula është një emër i njohur nga autoritetet italiane dhe shqiptare. Ai është anëtar i bandës së Niklës, i akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale, si: ‘Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë’, ‘Shkatërrim i pronës me eksploziv’, ‘Vjedhje me dhunë’ dhe ‘Prodhim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve luftarake’. Pula nuk e ka për herë të parë arratisjen , pasi edhe në vitin 2017 është arratisur nga policia në Fushë Krujë. Edhe pse i prangosur dhe nën masa të rrepta sigurie 21-vjeçari në momentin që zbriti nga furgoni, mundi t’i shpëtojë policëve. Ai kapërceu murin rrethues, duke u larguar në drejtim të paditur. Arratisja ndodhi gjatë kohës së transferimit të tij nga stacioni i policisë së Fushë Krujës në të Krujës. Në atë kohë uniformat blu ngritën postblloqe në rrugët kryesore dhe në të gjithë zonën për të kapur 21-vjecarin. Ndërkohë dy policët që e shoqëronin u ndaluan nga kolegët e tyre , pasi treguan pakujdesi ndaj personit që shoqëronin.
Edison Pula u prangos sëbashku me 8 anëtarë të tjerë të së njëjtës bandë. Sipas policisë ai është pjesëtar i grupit kriminal që organizoi atentatin ndaj Gentjan Bejtjes në fshatin Larushk të Krujës.