Rishikimi i çmimit të naftës ishte apeli kryesor që Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe i bëri qeverisë. Sipas tij çmimet e tanishmë janë të larta, sepse rrugët janë bërë të vështira për ta sjellë naftën, por në treg ka kompani që e shesin naftën më lirë sesa çmimi tavan i vendosur nga qeveria. “Pikat e bardha do të jenë shumë shpejt në agresion. Është shumë e rëndësishme për tu mbrojtur kjo kategori që po konkurron në treg. Por ama sjell në vëmendje edhe faktin tjetër që e kam bërë llogari këtu në Kuvend që nisur nga llogaritë e bëra në pikat e pompimit, nisur nga pikat e bardha, nga marzhi i fitimit, çmimi që miraton bordi duhet riparë sa më parë të jetë e mundur”, tha Braçe.
Gjithashtu ai komentoi debatin e bërë midis opozitës dhe qeverisë lidhur me Bordin e Konkurencës , rritjen e çmimit të lëndëve djegëse dhe disa ushqimeve bazë. Braçe i quajti të gabuara etiketimet në lidhje me bordet e krijuara duke u shprehur se këta të fundit nuk janë as fashiste e as komuniste. Gjithashtu iu bëri thirrje bordeve të mbrojnë qytetarin, teksa nuk e mohoi se ka pasur abuzime me rritjen e çmimeve.
“Bordi, ky që po diskutojmë sot me akt normative por edhe bordi tjetër që merret me çmimin e karburanteve janë instrumente të mbështetura në ligj. As fashiste dhe as komuniste. Bordi nuk rrit çmimet, ka vetëm një qëllim të mbrojë qytetarin nga abuzimet. Ka raste që e ka bërë dhe ka raste që do i tregoj që nuk e ka bërë. I kërkoj qeverisë publikisht të aprovojë garancinë sovrane por është nevojë jetike tani për shkak të përdorimit të drithit si armë atje në fushë të betejë. E kërkoj prej kostos të këtij vitit që i ka detyruar bujqit të mbjellin dhe të diskutojnë që tani për çmimin. Kam që në tetor që e them dhe ja u kam sjell. Kostoja bazë e grurit ka dalë me 1200 lekë, por prodhimi bazë, ilaçet dhe plehrat kimikë zënë 60% të kësaj kostoje. 30 lekë ka bërë një kilogram grurë vjet te bujqit. Me çmimin e vjetshëm i jep vetëm 15 mijë lekë të ardhura bujqëve për dynym”, shtoi Braçe.