Parku i Butrintit është “kurbani” i radhës i keqmenaxhimit të pasurive të vendit nga qeveria shqiptare. Para dy javëve, gjatë seancës plenare 75 deputetë kanë votuar pro administrimit të Butrintit nga fondacioni shqiptaro-amerikan.
Ndërkohë që përgjatë seancës plenare të ditës së sotme, deputetja Inaz Zhupa e ka vendosur sërish theksin tek çështja e Butrintit. Zhupa ka zhvilluar një interpelancë me ministren e Kulturës, Margaritin, për çështjen e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Në fjalën e saj, deputetja ngriti pyetjen sesi ka mundësi që shteti shqiptar ka hequr dorë nga mbrojtja e një vepre me vlera të paçmueshme siç është Butrinti dhe “t’ia dorëzojë atë privatit.” Gjithashtu Zhupa ndër të tjera se ky ligj është antikushtetues dhe ka shpresën se do të kthehet nga presidenti Meta.
“Për këtë koncesion, që realisht nuk keni guximin t’i thoni emrin e vërtetë sepse e kuptoni që në asnjë vend në botë, nuk ndodh që një shtet të nxjerrë pasurinë kulturore në koncesion dhe t’ia dorëzojë privati. Nuk ekziston, sepse ky ligj është antikushtetues dhe besoj do të kthehet nga presidenti”, u shpreh Zhupa.
“Pse nuk vendosen kritere dhe nuk ndryshojnë procedurat duke vendosur profesionistë në krye të administratës, që mund të ofrojnë një administrim cilësor për Butrintin. Sa për administratë politike dhe të paaftë, atëherë të japim me koncesion Ministrinë e Kulturës dhe të na e administrojë fondacioni shqiptaro-amerikan. Që mesa duket është më i aftë se vetë shteti për të administruar perlën e trashëgimisë kulturore”. Po ashtu deputetja demokrate theksoi se Këshillit Kombëtar të Kulturës Materiale i janë hequr kompetencat dhe ato i “kanë kaluar fondacionit privat.”
Kujtojmë që para një jave deputetja Zhupa e cila i ka kushtuar një vëmendje të veçantë çështjes së Parkut Kombëtar të Butrintit, i ka bërë një thirrje të rëndësishme presidentit Meta. Ajo i ka kërkuar që të mos e dekretojë ligjin që i jep një subjekti privat të drejtën për të menaxhuar Parkun Kombëtar të Butrintit.
Vlen të theksojmë se kjo është edhe prova e fundit për Metën, në pozicionin e tij si president.