Një protestë me shumë tensione po zhvillohet në Kosovë, ku qindra veteranë të luftës së fundit, nën udhëheqjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) janë mbledhur para Kuvendit të Kosovës.
Ata protestojnë për shkak se nuk janë përfshirë në ngritjen e pagës minimale.
Theksojmë se protesta filloi pak para fillimit të paralajmëruar të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku në njërën ndër pikat e rendit të ditës është edhe “votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.
Ndërkohë që kreu i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku u shpreh se deputetët nuk duhet t’i përjashtojnë veteranët nga projektligji në fjalë dhe nuk duhet të marrin asnjë vendim për ta, pa u konsultuar me veteranët.
“Deputetët dhe të zgjedhurit e popullit duhet t’ju shërbejnë interesave të atyre që i sollën në ulëset e Kuvendit dhe nuk duhet t’u shërbejnë interesave të politikës ditore. Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe u detyruam që këto kërkesa dhe pakënaqësitë tona t’i shprehim në rrugë përmes protestave. Do të vazhdojmë me protesta deri në realizimin e këtyre kërkesave tona”, deklaroi Klinaku.
Por pas fjalimit të Klinakut, veteranët janë futur në oborrin e ndërtesës së Kuvendit ndërsa ia mësynë hapësirave të brendshme të institucionit, por, një kordon policësh u pozicionua menjëherë para dyerve të këtij institucioni duke mos i lejuar.
Për t’i shpërndarë veteranët u përdorë edhe gazi lotsjellës, ndërsa pas gazit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës në shenjë respekti për këtë kategori, u ndanë atyre shishe me ujë.