Sërish tërmeti ka tronditur Durrësin mëngjësin e sotëm.
Tjetër lëkundje tërmeti në vend. Sipas EMSC, një tërmet me magnitudë 4 të shkallës rihter është regjistruar në detin Adriatik, 63 km nga Durrësi. Pasditen e djeshme lëkundje tërmeti u ndjenë në Durrës.
Sipas EMSC tërmeti dje ishte 3.5 i shkallës rihter. Epiqendra ishte 3 km në largësi të Durrësit dhe 30 km nga Tirana, ndërsa thellësia 10 km.
Kujtojmë që kanë kaluar më shumë se dy vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona. Veç jetëve të humbura, shumë njerëz mbetën të pastrehë pasi qindra ndërtesa që ishin shtëpi për shumë familje u shkatërruan.
Edhe pas dy vitesh shumë familje janë ende në rrugë, ndërsa procesi i rindërtimit ende nuk është mbyllur. Bashkitë kanë kërkuar një tjetër fond për rindërtimin dhe pritet t’u shpërndahen 6 miliard lekë grante të tjera rikostruksioni. Afatet për përfundimin e procesit të rindërtimit janë shtyrë herë pas here dhe viti 2023 është menduar se do të jetë viti kur do të kenë përfunduar edhe pallatet e planifikuara për t’u rindërtuar. Arsyetim për shtyrjen e afateve u bë pandemia, por nuk dihet ende se çfarë është bërë me grantet që u caktuan fillimisht për rindërtim, përderisa bashkitë kërkojnë të tjera fonde.
Mirëpo, tërmeti i 26 nëntorit vuri në dukje edhe një problem tjetër. Trupat shqiptare të shpëtimit punonin me mjete të kufizuara për të nxjerrë banorët nga rrënojat. Ishin shtetet fqinje dhe më tej që ofruan ndihmën e tyre me pajisje të specializuara, qen nuhatës dhe furnizime të tjera emergjencash për të vijuar operacionet e shpëtimit.