Në Bangladesh ka ndodhur një tragjedi si pasojë e një zjarri që përfshiu një magazinë kontejnerësh në Shitakunda.
Deri më tani raportohet për 25 viktima dhe mbi 170 të plagosur, pas shpërthimit në një depo në një qytet juglindor në Bangladesh. Njëzet prej të plagosurve janë në gjendje kritike me djegie që mbulojnë 60% deri në 90% të trupave të tyre, tha një mjek në një spital që trajton të plagosurit për AFP.
Thirrjet për dhurim vullnetar të gjakut për të lënduarit po vërshojnë në rrjetet sociale. Elias Chondri, një mjek në Chittagong, paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet, pasi ka shumë të plagosur në gjendje kritike, me djegie në 60 deri në 90 përqind të trupave. I gjithë personeli mjekësor, edhe ata pjesëtarë që ishin me leje, u dërguan në punë pasi dhjetëra të plagosur u dërguan në spitale të ndryshme të qytetit të madh.
Zjarri shpërtheu pak para mesnatës në një objekt magazinimi të quajtur BM Container Depot, rreth 40 kilometra nga Chittagong, porti më i madh tregtar i Azisë. Disa nga kontejnerët në objektin e magazinimit privat përmbanin kimikate, veçanërisht peroksid hidrogjeni, shpjegoi Ruhul Amin Sikder, zëdhënës i Shoqatës së Kontejnerëve të Brendshëm të Bangladeshit (BICA).
Drejtori i objektit, Mujibur Rahman, tha se shkaku i zjarrit ishte i panjohur. Ai ka sqaruar se në objekt janë punësuar rreth 600 persona.