Ditën e djeshme udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë kanë zhvilluar telefonata të gjata të gjata me presidentin rus, Vladimir Putin. Ndërkohë janë zbardhur detaje të reja mbi bisedat telefonike të lidërve botërorë.
Macron dhe Olaf Scholz kanë folur me Putin për 80 minuta, ku i kanë kërkuar që Rusia të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta dhe serioze me Presidentin e Ukrainës, raporton BBC. Referuar zyrës së Kancelarit gjerman, Macron dhe Scholz kanë “këmbëngulur për një armëpushim të menjëhershëm dhe një tërheqje të trupave ruse”.
Nga ana e tij, mësohet se udhëheqësi rus është shprehur se Moska është e hapur për të rifilluar dialogun me Kievin. Në njoftimin e Kremlinit thuhet se Putin nuk ka përmendur mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta mes tij dhe homologut ukrainës, Volodymyr Zelensky. Gjithashtu, Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Putinit të lirojë 2500 luftëtarë ukrainas të marrë si robër lufte në fabrikën e çelikut Azovstal, në Mariupol. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se po përpiqet që t’ia hedhë fajin perëndimit për krizën ushqimore që ka prekur botën pas pushtimit të Ukrainës.
“Kjo narrativa e Putinit duhet të përgënjeshtrohet me çdo kusht”, tha Scholz duke folur sot në Ditën Katolike në Shtutgart, siç raporton Dpa.
“Për këtë arsye,”-tha kancelari, është e rëndësishme që të dialogohet në baza të barabarta me vendet e jugut dhe jo t’i shtyjmë në krahët e Putinit. Ai shtoi se Gjermania është e vendosur që të ndihmojë “viktimën e kësaj lufte”.