Mbrëmjen e djeshme Sukthi është tronditur nga një atentat me pasojë vdekjen ndaj 48-vjeçarit Arben Mërkuri.
Viktima Arben Mërkuri Ismaili, i njohur me pseudonimin Maneci u qëllua me automatik nga një makinë “GLE” me numra targe AB 128 në dyqanin e tij në qendër të Sukthit, i cili ndodhet në katin e parë të një banese dy katëshe, teksa në katin e sipërm jetonte familja.
Theksojmë se Ismaili u plagos rëndë dhe humbi jetën në spital. Viktima ishte një emër i njohur për policinë. 48-vjeçari dyshohej si person i përfshirë në krime kundër personit, për vrasje ne pagesë, por nuk ka asgjë të dokumentuar.
Makina luksoze e autorëve është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes teksa forca të shumta policie janë vënë në kërkim. Po kështu janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të objekteve pranë vendit të ngjarjes, ndërkohë që janë marrë në pyetje të afërm dhe persona të pranishëm që mund të kenë dijeni për autorët apo arsyet e krimit.
“Maneci” ishte arrestuar edhe për dhunimin e biznesmenit libanez Faadi Mitri.
Arben Mërkuri (Ismaili), ka qenë një protagonistët e ngjarjes që bëri bujë në vitin 2016 në Shqipëri, dhunimi i biznesmenit libanez, Faadi Mitri. Ky i fundit kishte nisur investimet në Shqipëri, më konkretisht po punonte në Gjirin e Lalëzit, zonë ku po ndërtonte një kompleks. Por, gjashtë vite më parë, pasditen e 10 shtatorit biznesmeni Mitri, po udhëtonte pasagjer në një makinë me të shoqen e vajzën e tij kur u përplas qëllimisht me një tjetër autoveturë tip “Tuareg”.
Pas përplasjes, personat që ndodheshin në mjetin tjetër që dyshohet të kenë qenë Mërkuri, Landi Muhaerrimi (i tmerrshmi i Sukthit) e Skënder Krahja kanë dalë dhe kanë nisur ta qëllojnë, derisa e kanë lënë të plagosur rëndë biznesmenin libanez që përfundoi në spital. Rrahja përfundoi me largimin e biznesmenit nga Shqipëria, por ngjarja nuk u zbardh. ‘Rrumi i Shijakut’, Mërkuri e Krahja u morën në pyetje, por gjithçka u la me kaq.