Mëngjesin e sotëm të rinjtë e LRI kanë dhënë një deklaratë për mediat para Ministrisë së Arsimit, ku kanë treguar më tepër mbi problematikat e gjimnazistëve.
Për një periudhë 2 mujore, ata kanë qenë në kontakt me maturantët në të gjithë gjimnazet e Tiranës të cilët kanë treguar problematikat e tyre nëpërmjet një pyetësori ku janë përgjigjur rreth 500 gjimnazistë.
LRI thotë se nga analizimi i përgjigjeve të konstatuara, një pjesë e mirë e të anketuarve janë shprehur se kanë pjesërisht ose aspak informacion mbi mundësitë që tregu i punës në Shqipëri ofron.
Një shqetësim tjetër me të cilin ata hasen është gjithashtu edhe mungesa e laboratorëve në shkolla, apo përmbajtja e teksteve mësimore në kurrikulën e re të arsimit të mesëm, bën të ditur LRI.
‘Bazuar në këto shqetësime, ne kemi hartuar disa propozime në bashkëpunim me ekspertët tanë të arsimit:
1.Implementimi i lëndës “Këshillim i Karrierës” në kurrikul përgjatë vitit të parë të gjimnazit.
2.Ndërhyrja në sistemin e rankimit të kandidatëve për degët e universiteteve, duke u dhënë përparësi ose, duke u vendosur një koefiçent të njëjtë me gjimnazistët e shkollave të përgjithshme, nxënësve të arsimit profesional për degët simotra për të cilat aplikojnë ne fakultete.
3.Përshtatja e librave të arsimit të mesëm me programin e arsimit të lartë.
4.Buxheti për arsimin për vitin pasardhës të investohet në ndërtimin e laboratorëve dhe sallave kompjuterike.
5.Hartimi i një plani mësimor ku orët e laboratorit dhe të praktikës të jenë të detyrueshme në fund të çdo kapitulli, konkretisht në lëndët: kimi, fizikë, biologji.
6.Implementimi në kurrikul i lëndës “Psikologji” për të gjitha klasat.
7.Tezat e Maturës Shtetërore të jenë të bazuara në programin e përcaktuar nga Ministria e Arsimit.
8.Të krijohet një komision për ndryshimin e notës pas rikorigjimit të provimit të Maturës Shtetërore.
Si një forum rinor që beson fort se të rinjtë në Shqiperi duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo si dekor i takimeve të pushtetarëve, por si grup interesi, ne nuk do të ndalojmë vetëm në këto propozime, por e ftojmë ministren e arsimit në një tryeze, për të diskutuar mbi propozimet tona.
Ne jemi të sigurt se plaga e madhe me të cilën po perballet vendi, largimi i të rinjve, ka si pikënisje cilësinë e arsimit në vend, duke vazhduar më pas me mungesën e një pune dinjitoze e të mirëpaguar. Prandaj ne, të rinjtë e LRI, jemi të vendosur të vazhdojmë përpjekjet për t’u ofruar bashkëmoshatarëve arsim cilësor, jo vetëm si një të drejtë thelbësore, por dhe si garanci për një të ardhme të sigurt në vendin e tyre.’- thuhet në deklaratën e LRI-së