Pas video-mesazhit të dhënë sot nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, jashtë ambienteve të Kuvendit ka folur për mediat ish-kryeministri Berisha.
Sipas Berishës, qëndrimi i Edi Ramës është i paqartë pasi nga njëra anë mbështet Ukrainën, dhe nga ana tjetër i hap rrugë “Ballkanit të Hapur”, duke lejuar hegjemoninë ruse në Rajon.
Berisha theksoi se ftesa e Ramës për turistët rusë që të vijnë në Shqipëri është e turpshme.
Gjithashtu ai bëri apel që të anulohen vizat e qytetarëve rusë, si dhe të dëbohet nga Shqipëria ambasadori i Rusisë, e nga ana tjetër të bëhet tërheqja e ambasadorit shqiptar në Moskë.
“Ndoqëm me vëmendje dhe interes të madh por dhe me emocione të thella fjalimin e presidentit të Ukrainës, këtij populli që po martirizohet për lirinë në një agresion barbar të Putinit i cili theksoj se paraqet sot një monstër me fytyrë njerëzore, një kainë që ka shndërruar kombin e tij në kainër që ekzekutojnë fëmijët e tyre dhe djegin shtëpitë e tyre. Siç jeni në dijeni që në ditët e para të agresionit kemi ngritur zërin, ndaj këtij kombi, padyshim Shqipëria është e rreshtuar në anën e NATOS, por ajo që më lëndon shumë dhe deri diku mund të them se na turpëroi sot është qëndrimi i dyzuar i Ramës gjatë këtyre muajve të këtij agresioni barbar, në një anë votohet për dënimin e tij në këshillin e sigurimit, por nga na tjetër promovohet ideja e projektit ruso-serb e Ballkanit të hapur që i hap rrugën hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon. Ka qenë një vendim absurd shpallja dhe ftesa e Ramës për turistët rusë në Shqipëri, imagjinoni, vrasës, përdhunues, kainër, pasi kryejnë masakra të vijnë dhe të dynden në plazhet tona për të marrë veten, kjo ishte fyese e rëndë për shqiptarët dhe ju që e ndoqët fjalën e Zelensky kjo ishte dhe një kërkesë e tij.
Kërkoj me urgjencë të anulohen vizat për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri, së dyti, kërkoj largimin e ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e ambasadorit shqiptar nga Moska, zvogëlimin në maksimum të të gjitha marrëdhënieve politike dhe diplomatike”, u shpreh ish-kryemistri Sali Berisha.