Skip to content
Kronikë

Si në Londër, zbulohet një ‘shtëpi bari’ në periferi të Tiranës (Detajet)

· 2 min lexim

Në Tiranë është zbuluar një tjetër “shtëpi bari”, e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.  Prej mëngjesit të sotëm policia e shtetit në bashkëpunim me OSHEE kanë ushtruar kontrolle për evidentimin e aktivitetit të paligjshëm të kultivimit të kanabisit.

Në periferi të Tiranës sipas burimeve është konstatuar një shtëpi bari ku janë sekuestruar disa bimë narkotike. Theksojmë se Policia e Shtetit zyrtarisht nuk jep detaje pasi operacioni është ende në vijim.

Kujtojmë që ky është rasti i dytë i zbulimit të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, pas zbulimit të asaj në Tropojë paraditen e sotme, ku pronari i saj është shpallur në kërkim.

Sipas burimeve bëhet fjalë për një shtëpi private në zonë e Kasharit.

Vlen të përmendim që edhe në Shqipëri po përhapet shumë metoda e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente shtëpie të përshtatura sipas tipologjisë së bimës.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion paraprak.

Në zonën e “Kashar 2”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6 në Tiranë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar një operacion policor, si rezultat i të cilit kanë zbuluar një ambient që ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.

Janë shoqëruar disa persona dhe po vijojnë veprimet nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Në përfundim të këtij operacioni do t’u japim infomacion të plotë.