Zgjedhja e presidentit të ri është një nga tematikat më të “nxehta” politike kohët e fundit. Ndërkohë që aludohet për emrat e kandidatëve të mundshëm, bëhet e ditur se Shqipëria do të ketë Presidentin e ri të vendit brenda datës 24 Maj.
Burime brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste bënë të ditur për BalkanWeb se teksa i kanë dhënë një javë kohë opozitës për të nisur negociatat për kriteret dhe profilin, kanë edhe një skenar me katër data të përcaktuara për katër raundet brenda të cilave pritet të zgjidhet Presidenti i ri i vendit.
Kreu i grupit parlamentar socalist Taulant Balla tha në konferencën për mediat se raundi i parë i votimit është parashikuar në 10 Maj.
Ndërkohë burimet bëjnë të ditur se raundi i dytë dhe i tretë kur kërkohen 84 vota për të zgjedhur Presidentin janë parashikuar në 16 dhe 20 Maj.
Nëse në tre raundet e para nuk arrihen 3/5 e votave është parashikuar që raundi i katërt ku kërkohen 71 vota është parashikuar të mbahet në 24 Maj.
Kujtojmë që më herët kryeministri Edi Rama ka dhënë detajet e para se si socialistët po e projektojnë zgjedhjen e presidentit të ri të republikës.
“Për presidentin. Ne duhet te mendojmë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje, duhej të gjejmë mënyrën të ,mblidhemi mendim për presidentin e ri të Republikës, pasi një seri ngjarjesh që e kanë çuar në minus këtë figurë. Ne kemi përgjegjësinë që ti japim popullit në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë, që ti kthejë normalitetin njerëzor dhe moral këtij posti, nuk do të bjerë nga qielli, do të jetë mes nesh, por ne e kemi detyrim që ti japim asaj zyre një njeri normal për 5 vitet e ardhshme, një figurë moralisht dhe profesionalisht normale, prandaj ju lutem të mendojmë në këtë sens, kushdo që ka ide për këtë le ta ndajë”, ka thënë Rama.