Ajeta Hoxha ka humbur fatalisht jetën në Devoll si pasojë e një aksidenti.
Bëhet me dije se një makinë me targa greke ka përplasur për vdekje këmbësorin Hoxha., Mësohet se viktima është rreth 50-vjeç. Viktima ka qënë në anë të rrugës kur është përplasur nga makina.
Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
“Devoll/Informacion paraprak
Më datë 23.04.2022, rreth orës 20:25, në aksin nacional Korçë-Devoll, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Progrit”, shtetasi A. K., duke drejtuar mjetin tip “Opel”, ka aksidentuar këmbësorin A. H., rreth 50 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i mjetit u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Vlen të përmendim se shifrat e aksidenteve në vend janë alarmante. Në muajin Mars 2022 numërohen 101 aksidente rrugore nga 119 aksidente të ndodhura në muajin Mars 2021, duke u ulur me 15,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tremujorin e parë të vitit 2022 numërohen 285 aksidente rrugore nga 323 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 11,8 %.
Në tremujorin e parë të vitit 2022, numri i të aksidentuarve është 392 persona nga 418 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Mars 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona, nga 18 persona të vdekur në Mars 2021.