Vdekjet nga kanceri i gjirit nuk kanë të sosur në një vend të vogël siç është Shqipëria, teksa i tillë është edhe rasti i humbjes së jetës së një 29-vjeçareje.
Aurora Vrapi, e lindur në Starovë të Beratit ka humbur jetën në një moshë mjaft të re. Që kur ka qenë 24 vjeçe Aurora ka parë anën e errët të jetës. Pas një konrolli rutin, ajo dhe familja e saj u hasën me një lajm të keq. Diagnostikimin me kancer të gjirit të vajzës së tyre.
Por, edhe pse sëmundja u zbulua në një fazë të herët, kur kanceri nisi të “mbërthehej” në trupin e së resë, fundit dihej.
Prindërit, vëllai dhe burri u tronditën nga lajmi, por pak kohë më pas e “harruan” dhe mendonin se do kalonte dhe gjendja e Aurorës do të përmirësohej.
Kur nisi kurimin, Aurorës filluan t’i binin flokët dhe gjendja e saj filloi të përkeqësohej akoma dhe më shumë, ndërsa fjalët e vetme që ajo nxirrte dhe nxori nga goja deri në prag të momenteve të fundit të jetës së saj ishin “unë nuk e kam të gjatë”.
Familjarët tregojnë se e reja u përmirësua më vonë, për shkak edhe të marrjes së medikamenteve të ndryshme dhe kimioterapisë, mirëpo këto momente lumturie dhe shprese në familje u shuan shumë shpejt.
Gjendja shëndetësore e së resë u përkeqësua sërish, ndërsa një gjinekologe dhe njëkohësisht e afërme e familjes, e cila erdhi në momentin e gabuar i sugjeroi asaj që të bënte një fëmijë të dytë për t’i dhënë fund sëmundjes vdekjeprurëse.
Pas kësaj këshille, të cilën Aurora dhe burri i saj e “mirëpritën”, ata nxituan për ta realizuar. Kështu edhe lindi djali i tyre, i cili tashmë është 5 vjeç.
Por, sëmundja që tashmë Aurorës po i përhapej në të gjithë trupin, jo vetëm që nuk u “largua”, por edhe e bëri atë më keq.
“Duhet të bësh fëmijë që të “shplahesh””-ka qenë kjo këshilla e një gjinekologeje në qytetin e Beratit, është shprehur daja e të ndjerës së re me iniciale N.B.
Kush do e priste që në një ditë të qetë, në të cilën nëna dhe babai i saj i shkuan për drekë 29-vjeçares, ajo do të linte frymën e fundit. Do linte pas dy fëmijë, një vajzë 10 vjeçe dhe një djalë 5 vjeç, të cilët e dinin që nëna e tyre ishte sëmurë, por jo aq rëndë pasi ata nuk arrinin të kuptonin për shkak të moshës. Një burrë me të cilin u dashurua në shkollë me shikim të parë, nënën e saj që me plotë dhimbje flet për të, një baba që çdo vajzë tashmë e trajton sikur të ishte vajza e tij dhe një vëlla që mundohet t’i japë kurajo familjes.
Aurora këmbënguli që familja e saj të qëndronte më tepër tek shtëpia e burrit, mirëpo ata u larguan dhe e reja i ngriti dorën e mërzitur, sikur ta dinte që fundin e kishte fare pranë.
“Nuk i mungonte asgjë vajzës, e morëm ta çonim në Turqi, por qëlluam me një doktoreshe të mirë që na tha mos e ndaj nga fëmijët për sa jetë i ka mbetur.”-u shpreh Flutura, nëna e Aurorës me lot në sy dhe zërin që i dridhej.
Përsa i përket fëmijëve, familjarët thonë se do i mbajë burri i të ndjerës, ndërsa shtojnë se dera për ta është e hapur gjithmonë.
“Nuk e ndjej shumë tek fëmijët se ata janë rritur tek unë, ata më shikonin që vija nga puna dhe thoshin erdhi nëna do ikim tek ajo”-shtoi Flutura.
Nga ana tjetër, babai i Aurorës duket se ishte “pajtuar” me ardhjen e fundit tragjik të vajzës së tij dhe momentin kur ajo do të përfundonte brenda një arkivoli e “pushtuar” nga sëmundja dhe do të shkonte në botën tjetër, teksa shprehej se çdo gjë e ka fundin e tij.
“S’jemi as të parët as të fundit, shyqyr Zotit la plot mbrapa. T’i ruaj të gjithë Zoti. Ne kemi qenë mire, diçka duhet të ndodhte.”-ishin këto fjalët e të atit të Aurorës.(Nga E.L.)