Në situatën pandemike aktuale sugjerimet e fundit të ekspertëve organet greke kanë komunikuar se vendi do të rikthehet thuajse në normalitet që nga 1 maji sa u përket masave kundër pandemisë.
Thanos Plevris, Ministër i Shëndetësisë: Nga data 1 maj deri më 31 gusht, nuk është e nevojshme paraqitja e certifikatës së vaksinimit kundër COVID-19 apo certifikatave të rikuperimit për akses në të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme. Kjo do të thotë se edhe aty ku ka pasur detyrim për të pasur një test negativ, nuk do të kërkohet më. Masa do të rivlerësohet më 1 shtator.
Infektimet ditore të koronavirusit në Greqi janë ulur ditët e fundit, pavarësisht se numri i vdekjeve mbetet ende i lartë,65 në 24 orët e fundit dhe në total, 28344. Gjithashtu mbi 72% të grekëve tashmë janë të vaksinuar.
Lehtësimi i masave vjen në fillim të sezonit turistik të Greqisë që zakonisht fillon pas Pashkëve Ortodokse, të cilat këtë viti janë në 24 Prill,ndërsa ka shpresa që sivjet të arrihet numri rekord prej 33 milion turistë që erdhën në Greqi në vitin 2019.
Ndaj dhe nga 1 maji deri më 30 gusht hiqen edhe të gjitha kufizimet në lidhje me numrin e klientëve në ambientet e restoranteve apo të bizneseve të ndryshme dhe ato mund të funksionojnë me kapacitet 100 për qind,deri në rishqyrtimin e masave në 1 shtator.
Thanos Plevris, Ministër i Shëndetësisë: Në të njëjtën kohë po shqyrtojmë edhe heqjen e kërkesës për paraqitjen e certifikatës dixhitale të BE-së gjatë hyrjes në vend dhe do të ketë njoftime të reja.
Gjithashtu, nga data 15 prill hiqet gjoba prej 100 euro për personat e grupmoshës mbi 60 vjeç që nuk vaksinohen dhe nga data 3 maj kur do të hapen shkollat sërish pas javës së Madhe, nxënësit do të kthehen në bankat e shkollave pa qënë të detyruar për të kryer dy testet javore për koronavirusin.
Një nga masat që mbeten ende në fuqi në Greqi është mbajtja e detyrueshme e maskave në ambientet e brendshme deri më 31 maj dhe rekomandimi për mbajtjen e saj edhe gjatë ceremonive fetare të Pashkëve që do të zhvillohen për herë të parë pas dy viteve të pandemisë .