Departamenti amerikan i Shtetit thotë se çështjet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin “problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërsa vazhdobte procesi i vetingut; kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet komunale”
Lulzim Basha ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë ku theksoheshin probleme të mëdha sa i përket korrupsionit qeveritar dhe përdorimit politik të administratës.
Basha tha se raporti vetëm sa kishte vërtetuar shqetësimin e PD dhe kërkoi që këto pika të parashtruara në raport, të ndiqeshin nga SPAK dhe organet e drejtësisë në mënyrë që të viheshin para përgjegjësisë personat e korruptuar dhe të konsideruar si të “paprekshëm”.
Postimi i plotë nga ish-kryedemokrati Lulzim Basha:
SHBA konfirmuan sërisht se shqetësimet e ngritura nga Partia Demokratike për korrupsionin, masakrën zgjedhore, veshjen me pushtet të kriminelëve, presioni ndaj medias etj, janë të drejta dhe të bazuara në fakte të pakundërshtueshme.
Në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut nënvizohet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes së Edi Ramës.
Ashtu si në rastin e kanabizimit të vendit, apo në rastin e fundit të inceneratorëve Edi Rama është kthyer në mburoj të ministrave të korruptuar duke penguar drejtësinë të veprojë ndaj zyrtarëve të lartë.
Raporti ka vërtetuar edhe shqetësimin e PD për përdorimin politik të policisë dhe shpesh herë kthimin e saj në shërbim të personave të inkriminuar.
E ndërkohë që dosjet për masakrën zgjedhore presin një vendimmarrje nga organet e drejtësisë, DASH risjell në vëmendje problematikën e blerjes së votave, rrjedhjën e të dhënave personale të 900 mijë shqiptarëve dhe përdorimin e tyre për arsye elektorale si dhe përdorimin e fondeve publike në funksion të përfitimit electoral.
Ky raport duhet të jetë kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë e veçanërisht Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, të cilat janë krijuar për të vënë para drejtësisë të paprekshmit, zyrtarët e lartë të korruptuar, ata që kanë tjetërsuar me forma dhe mënyra të ndryshme vullnetin e shqiptarëve për ndryshim e për t’u kthyer atyre besimin tek drejtësia.
Pa u vënë para ligjit ata që deformuan vullnetin e zgjedhësve dhe kokat e korrupsionit, Shqipëria s’do të ketë as progres e as zhvillim ekonomik.