Disa zona të Kievit janë tashmë të çliruara nga rusët, por pasojat e lëna janë të tmerrshme. Ato kanë shkaterruar masivisht qytetin por jo vetëm. Plagët që kanë lënë të banorët janë të thella, ku vrasjet ishin barbare dhe abuzimet me gratë ukrainase po ashtu. BBC ka marrë dëshmitë e dorës së parë dhe gjeti prova të grave ukrainase që u përdhunuan nga ushtarët pushtues.
Në një lagje të qetë periferike, në Kievin perëndimor, BBC intervistoi Anën, e cila është 50 vjeçare, emri i së cilës është ndërruar për shkak të mbrojtjes së identitetit të saj.
Ajo u shpreh se më 7 mars ajo ishte në shtëpi me burrin e saj kur një ushtar i huaj hyri vrullshëm.
“Nën kërcënimin e armës, ai më mori dhe më dërgoi në një shtëpi afër. Ai më urdhëroi: ‘Hiqi rrobat ose do t’ju qëlloj’. Ai vazhdoi të më kërcënonte nëse nuk do të bëja siç më thoshte ai. Pastaj, filloi të më përdhunonte”, rrëfen ajo.
Ana e përshkroi përdhunuesin e saj si të ri, të hollë, luftëtar çeçen aleat me Rusinë.
“Derisa ai po më përdhunonte mua, katër ushtarë të tjerë hynë. Mendova aq e pata, por ata e morën dhe e larguan. Nuk e pashë më kurrë”, tha ajo. Ajo beson se u shpëtua nga një njësi e veçantë ushtarake ruse”.
Ana u kthye prapë në shtëpi dhe gjeti burrin e saj. Ai ishte qëlluar në abdomen.
“Ai tentoi të vraponte pas meje që të më shpëtonte, por ai ishte qëlluar nga plumbat”, tha ajo. Ajo nuk mund ta dërgonte burrin e saj në spital për shkak të luftimeve. Ai vdiq dy ditë më pas nga plagët e marra.
Ana i tregoi ekipit të BBC edhe vendin kur e ka varrosur burrin e saj në kopshtin e pasmë të shtëpisë me një kryq të drurit mbi të.