Me 18 janar të këtij viti një atentat mbeti në tentativë ndaj Lulëzim Mashës, administratorit të shkollës “Willson” në Tiranë. Ndërkohë që ditën e djeshme është arrestuar një person që dyshohet se ka qenë autori I atentatit ndaj Mashës.
Prokuroria e Tiranës kërkon lënien në burg të Skerdi Tasi, 31-vjeçarit të arrestuar si autori i dyshuar i të shtënave në drejtim të makinës së Lulzim Mashës, pronarit të shkollës “Willson”.
Sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve, Tasi pretendon se nuk e njeh Mashën dhe gjithçka ka qenë gabimisht. I riu pretendon se i është dukur sikur në atë makinë po udhëtonte një person tjetër me të cilin ai ka pasur konflikt më parë.
Më tej i riu shton, se pasi ka parë që nuk ishte ai shtetasi që kishte konfliktin, është larguar në këmbë dhe ka fshehur armën në xhup. Tasi u arrestua dy ditë më parë nga blutë e kryeqytetit pasi u identifikua nga autoritet si autorë i kësaj ngjarjeje
“Në muajin janar kisha ardhur për disa ditë në qytetin e Tiranës dhe kam qëndruar në banesën e vëllait Nikolin Tasi në lagjen “Ali Demi”, por kam qëndruar edhe në banesën e Arjan Hoxha nga Tepelena, i cili jeton në lagjen “Astir”. Më datë 18 janar, rreth orës 07:30-08:00 kam dalë nga banesa e vëllait në lagjen “Ali Demi” dhe kam udhëtuar në këmbë i vetëm me drejtim parkun e Liqenit Artificial. Më kujtohet që aty ku ndodhet një pallat i lyer si me të kuqe që unë e njoh si pallati me perde kam marrë rrugën e shtruar që vjen rreth liqenit duke ikur me drejtim për nga teatri derisa kam dalë nga pjesa me pemë dhe kam vazhduar po në këmbë derisa kam mbërritur pranë një fushe volejbolli si dhe janë disa bar kafe. Në atë vend kam qëndruar rreth një orë në këmbë duke pritur. Nuk më kujtohet sa ka qenë ora, kam parë automjet ML me targa Tirane, për të cilin mendova se ishte e një personi që dy javë më parë kisha një debat. Në momentin që pashë automjetin kam nxjerrë një armë zjarri të tipit automatike skorpiones dhe kam qëlluar mbi makinën. Në momentin që e pashë se personi që ishte në makinë nuk ishte ai që prisja, kam ndaluar së shkrepuri armën dhe jam larguar me vrap, por kam vënë re se drejtuesi i automjetit iku disa metra përpara dhe u kthye me makinë prap. Menjëherë pas momentit të qëllimit, kam marrë rrugën dytësore paralel me autostradën duke marrë drejtimin për nga diga e liqenit dhe që ishte shëtitorja e liqenit, armën e kam futur poshtë xhupit për ta fshehur. Pas kam ecur rreth 300 metra, armën e kam hedhur në ujërat e liqenit rreth 10-15 metra nga bregu, vend të cilin e mbaj mend vetëm po të afrohem atje.
Pas hedhjes së armës, kam vazhduar rrugën në këmbë për tek kryqëzimi i 21-shit, ku pasi mbërrita kam gjetur një furgon me të cilin kam udhëtuar deri në qytetin e Fierit”, thuhet në dëshminë e tij. Gjithashtu ai mohoi njohjet me Lulzim Mashën, ai tha se armën e zjarrit e kishte në banesën e tij në qytetin e Levanit që prej trazirave të vitit 1997.
“Në Tiranë e kam sjellë disa ditë para se të ndodhte ngjarja, e kisha fshehur në parkun e Liqenit Artificial”, tha Tasi.