Skenat e lëna në qytetin ukrainas Bucha pas tërheqjes së trupave ruse janë më shumë se tronditëse.
Por ndërkohë që e gjithë bota ka shënjestruar dhë dënuar Rusinë për veprimet makabre të bëra në qytetin ukrainas, Kremlini vuri në dyshim raportet në lidhje me Bucha dhe hodhi poshtë të gjitha akuzat për përfshirje ushtarake ruse.
“Nga ajo që kemi parë, në shumë mënyra nuk mund t’u besohet, sepse ka shenja të falsifikimeve të videove dhe falsifikimeve të ndryshme të zbuluara nga specialistët tanë nga Ministria e Mbrojtjes,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një deklarate për shtyp.
“Ne hedhim poshtë kategorikisht çdo akuzë” vazhdoi ai. Peskov propozoi një diskutim mbi incidentin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se një iniciativë e tillë është paraqitur nga Rusia, por që është bllokuar. I pyetur nëse këto akuza nga zyrtarët ukrainas do të ndikonin në rrjedhën e negociatave dypalëshe, Peskov nuk pranoi të komentonte, duke thënë se nuk kishte asnjë informacion mbi kohën e raundeve të ardhshme të bisedimeve Rusi-Ukrainë. Udhëheqësit perëndimorë kanë bërë thirrje për hetime të krimeve të luftës dhe sanksione të reja ndaj Rusisë për incidentin në Bucha.
Kujtojmë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se vrasjet ishin “brutalitet kundër civilëve që nuk e kemi parë në Evropë për dekada”.
“Është e tmerrshme dhe është absolutisht e papranueshme që civilët të jenë në shënjestër dhe të vriten”, tha ai për CNN.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss tha se sulmet pa dallim kundër civilëve ukrainas në qytete si Bucha dhe Irpin duhet të hetohen si krime lufte.
“Ne nuk do të lejojmë Rusinë të mbulojë përfshirjen e saj në këto mizori përmes dezinformatave cinike dhe do të sigurojmë që realiteti i veprimeve të Rusisë të dalë në dritë”, tha ajo.