Prokuroria dhe policia pritet ta dërgojnë jashtë shtetit telefonin e Nuredin Dumanit me qëllim zbardhjen e komunikimeve të tij pasi në celular është gjetur programi “EncroChat” që përdoret për komunikimet e koduara. Ndërkohë grupi i hetimit është në pritje të analizës së ADN-së së personit të dyshuar për të paktën 7 ngjarje, e cila po ballafaqohet me provat e gjetura në disa ngjarje kriminale.
Tirane- Hetimet për zbulimin e autorëve të plagosjes së Nuredin Dumanit po vijojnë dhe krahas tyre edhe për ngjarjet e tjera ku 37-vjeçari është akuzuar nga prokuroria si autor apo bashkëpunëtor.
Deri në këtë fazë hetuesit kanë në duar një profil gjenetik të Dumanit por edhe telefonin e tij i cili po mendohet të dërgohet drejt shteteve të tjera më qëllim zbërthimin e tij dhe përfitimin provave të tjera.
Tri ditë pas arrestimit të Nuredin Dumanit, i cili dyshohet për të paktën shtatë ngjarje të rënda, prokuroria e Elbasanit po shqyrton mundësinë e bashkëpunimit me autoritetet e huaja më qëllim zbërthimin e telefonit të 37-vjeçarit.
Pas këqyrjes së telefonit të të riut nga Dibra, hetuesit kanë konstatuar se i dyshuari ka përdorur programin “EncroChat” i cili lejon shkëmbimin e mesazheve të koduara që lexohen vetëm nga dhënësi e marrësi dhe më pas fshihen për disa sekonda.
Për këtë arsye nga hetuesit po shikojnë mundësinë e dërgimit të telefonit të Dumanit në Belgjikë ose Itali në mënyrë që specialistët e huaj të rigjenerojnë mesazhet e shkëmbyera nga 37-vjeçari me qëllim zbardhjen e aktivitetit të tij kriminal.
Programi “EncroChat” përdoret nga persona me rrezikshmëri të lartë shoqërie apo grupe kriminale më qëllim shmangien e përgjimeve dhe gjurmimin nga organet e policisë.