Në komisariatin nr.5 të Kamëz u regjistrua një ngjarje e rëndë ku humbi jetën një i ri pasi i vuri flakën ndërtesës. Vëllai i Arben Micit ka folur sot për mediat duke hedhur akuza ndaj shtetit që sipas tij, ka neglizhuar gjendjen e të riut.
Vëllai i Arben Micit:
Erdhi polici dhe tha që ka vdekur vëllai. Si ka vdekur? Ne e çuam për t’u shëruar, jo për ta marrë të vdekur. Donim ta çonim në spital të burgut pasi nuk e mbajti spitali psikiatrik. Ai ishte me ilaçe. Atë natë nuk ishte mirë dhe deshëm ta kalonim në spital, ata e dërguan në Komisariatin e Kamzës si të ishte njeri normal dhe i kanë prerë urdhër arrest ndalimi, e kanë bërë të dhunshëm. Ai ishte në gjendje depresioni, bërtiste, thoshte ‘dëgjoj zëra’. Kishte tre vite që ishte në këtë gjendje. Policia nuk na ka dhënë asnjë sqarim. E kam marrë në morg të vdekur. Unë kërkoj drejtësi, dua shpjegim si ndodhi? Kjo është neglizhencë e shtetit, ai po të ishte kaluar në spital do ishte gjallë, pse e futën në Komisariat? Ne i kishim bërë letrat gati për ta dërguar në spitalin e burgut sepse te spitali psikiatrik nuk e mbanin më. Ata e arrestuan si një njeri normal, nuk mbahet ai aty në bodrum, por në vende të veçanta. Kërkoj drejtësi sikur ti kishte ndodhur çdokujt, nuk është e vërtetë që ka dhunuar nënën, ai kishte probleme të depresionit, ishte i sëmurë, ne nuk i kemi dërguar asnjë çakmak në burg vëllait. Për rastin e tij shtetit nuk është interesuar fare.