Policia ka proceduar penalisht 12 persona, përfshirë këtu dhe kryetarin e Bashkisë së Kukësit.
Ata do të hetohen në gjendje të lirë, në lidhje me protestat e djeshme në qytetin e Kukësit, gjatë takimit që kryeministri Rama kishte me banorët e zonës.
Mësohet se protestuesit e proceduar janë të moshave 28-60 vjeç nga Kukësi dhe Hasi.
Ditën e sotme policia ka dalë me një njoftimi zyrtar, se ka nisur hetimin ndaj tyre për shkak se bllokuan rrugën duke penguar qarkullimin e automjeteve të transportit, si dhe kundërshtuan punonjësit e policisë.
Partia Demokratike sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu organizuan protestën duke bllokuar rrugën tek Ura e Drinit të Zi dhe pas takimit të Ramës, protestuesit çanë kordonin e policisë dhe u nisën drejt aeroportit të Kukësit, pasi pretendonin se kryeministri do të largohej nga ky qytet me helikopter.
Veprat penale që rëndojnë ndaj personave në hetim janë, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Rama mbërriti me helikopter në Kukës ku pati një takim me banorët atje në kuadër të zgjedhjeve lokale ku zyrtarizoi edhe kandidatin Safet Gjicin.