Drejtoresha e Administrimit të Paketave Shëndetësore dhe Ekzaminimeve Terciare, Lediana Mehmeti që prej ditës së djeshme është marrë e pandehur nga prokuroria për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës,” kjo pasi ka pushuar nga puna brenda ditës 37 punonjës.
Çështjen penale e ka në dorë prokurori Ervin Karanxha, ku përveç shkeljes së shkarkimit brenda ditës së 37 punonjësve, që ishin në varësi të saj, ajo ka abuzuar dhe me tenderat në spitalet rajonale të Beratit dhe Shkodrës.
Prokurori i cili ka mëse tetë muaj që po merret me këtë rast, thotë se tenderat janë monitoruar nga Lediana Mehmeti, e cila sipas prokurorisë megjithëse ka gjetur shkelje, me dashje nuk i ka pasqyruar në dokumentacion shkresor këto shkelje dhe me qëllim ka shmangur evidentimin të përgjegjësive përkatëse për punonjësit e spitaleve në Berat dhe në Shkodër.
Sipas Shqiptarja.com, shkeljet nuk janë pasqyruar në vendimin përfundimtar që drejtoria ka marrë lidhur me problematikën e konstatuar, por njëherësh shkeljet në tenderat për blerjen e ilaçeve në spitalet Shkodër dhe Berat, nuk janë referuar me kallëzim në prokurori.
“…në rastin konkret punonjësja e shtetit ka pasur detyrimin për të zbatuar ligjin duke bërë kallëzim penal por ajo duke shpërdoruar detyrën e saj zyrtare ka fshehur një krim…” -thotë prokuroria.
Prokuroria vijon me akuzat për Lediana Mehmetin dhe për largimin kolektiv të 37 punonjësve brenda ditës.
Në total kjo drejtori kishte 55 punonjës “de facto”, ndërkohë numri i punonjësve të larguar prej Drejtorisë së Administrimit të Paketave Shëndetësore dhe Ekzaminimeve Terciare ishte 37, nga të cilët edhe pse ju suprimua pozicioni i mëparshëm i punës, u mbajtën në punë 6 punonjës duke i emëruar në sektorë të tjerë që nuk u suprimuan.
Emërimi i këtyre punonjësve u bë pa konkurs të brendshëm dhe pa asnjë kriter përzgjedhje midis punonjësve që u pushuan nga puna dhe atyre që mbajtën në punë.